Në kuadër të fillimit të aksionit kundër informalitetit, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj i është drejtuar sipërmarrjes me një letër të hapur, për bashkëpunim në kuadër të betejës me qëllim rritjen e pajtueshmërisë ndaj zbatimit të ligjit dhe nxitjen e vetëkorrigjimit për zgjerimin e bazës tatimore.

Ministri sqaron ku do të fokusohet aksioni në terren, paralelisht me të cilin do të zhvillohet edhe një tjetër reformë e rëndësishme e lehtësimit të procedurave në favor të përmirësimit të klimës së biznesit.
“Strukturat në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Inspektorati i Punës, do të organizohen në grupe të përbashkëta, të orientuara nga analiza e profileve të riskut të sektorëve dhe bizneseve brenda tyre, duke pasur në fokus të gjithë zinxhirin e transaksioneve nga biznesi i madh deri tek konsumatori final. Punësimi e siguria në punë do të kenë një vëmendja të posaçme brenda aksionit”, shkruhet në letrën e Ahmetajt.