Nga Thanas Mustaqi

Më 2 nëntor 2017, ora 13:15, në Terminalin Lindor, kalata 10 është bregëzuar një tjetër transportues i madh mallrash rinfuzo, anija me flamur panamez “Ruby Enterprise” (shih hartën). 

Anija vjen nga porti Puerto Santo Tomas de Castilla, në Guatemalë, me një ngarkesë nikeli prej 24 917 tonë. Në një nga fotot, me hartën përkatëse, tregon anijen, e cila më 13 tetor 2017, po ngarkohej me nikel. 

Më 14 tetor 2017 është nisur nga porti guatemalas, pas 15 ditësh lundrimi [në foto] në oqeanin Atlantik, kaloi Gjibraltarin më 29 tetor 2017 dhe prej këtej në Durrës, më 2 nëntor 2017, tri ditë më vonë nga parashikimi (30 tetor).

Gjiganti, një ndërtim i ri “fringo”, i vitit 2016, nga kantieri japonez “Shin Kochi Jyoko Shipbuilding Co Ltd Kochi” për korporatën tajvaneze “Sea Delta Corporation Ltd (Sincere Industrial Corporation Ltd” me seli në qytetin Taipei, si menaxher).
Ka një tonazh gjithsej prej 33 415 tonë, që mund të hyjë dhe të përpunohet në portin e Durrësit. Përmasat: gjatësi x gjerësi: 176.83 m × 28.8 m.

Info:

Shfrytëzimi i mineralit të hekur-nikelit shqiptar ka filluar në vitin 1957 në minierën e Pishkashit, me vonë ka vazhduar në minierat Përrenjas – Guri Kuq – Bitinckë.
Në vitet 1976-1980 u ngrit fabrika e pasurimit të hekur-nikelit në Gur të Kuq të Pogradecit me kapacitet 500 000 tonë, për të garantuar standardin – përqindja e hekurit në koncentrat mbi 42 të pranueshëm për Metalurgjinë në Elbasan. 
Destinacioni i hekur-nikelit deri në nëntor 1976 –vit kur u vu në punë furrnalta e parë (nga dy) ishte eksporti në Fabrikën e nikelit në Sered – pjesë e Kombinatit Metalurgjik “NOVA HUTA” në jug-perëndim të Sllovakisë në ish-Republikën Socialiste të Çekosllovakisë. Fabrika e nikelit Sered me kapacitet 500 000 tonë punoi deri në vitin 1992 bazuar vetëm në mineralin shqiptar të hekur-nikelit dhe produkti i saj ishte nikeli dhe kobalti. 
Me vënien në punë të furrnaltës numër 2 aftësia përpunuese e mineralit të hekurit potencialisht arriti në 900 mijë tonë/vit. Mund të thuhet pa hezitim se furrnaltat tona ishin moderne. Mekanizimi në miniera ishte i pranueshëm dhe rendimenti kapte shifrën 1.74 tonë/ditë pune.
Pas vitit 1991 ra dukshëm eksporti, si pasojë e mbylljes së uzinës përkatëse çekosllovake. (Sipas portalit “Java”). 
Deri më 31 dhjetor 2014, nëpërmjet portit të Durrësit, u eksportua një sasi minerali hekur-nikeli vetëm 54 486 tonë nga 184 778 tonë një vit më parë (viti), ose 130 292 tonë më pak (mbi 3,3 herë!).

Një histori pak e njohur

1961, Tiranë-Pragë, beteja e “baltës së kuqe”

Acarimi i Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin në vitin 1961 çoi në një luftë tregtare midis Çekosllovakisë dhe Shqipërisë për “baltën e kuqe”, teksa Praga synonte të mposhte Tiranën me anë të Havanës. Po sjell një detaj pak të njohur të vitit 1961, kur Radioja Evropa e Lirë analizonte informacionin se çekosllovakët do të blinin nikel kuban për të zëvendësuar atë shqiptar. Uashingtoni ndiqte me kujdes devijimin e Shqipërisë nga blloku lindor dhe bënte vlerësim të çdo hapi që hidhej, qoftë dhe të një lajmi të thjeshtë më 30 maj 1961 se “qeveria çekosllovake ka bërë një porosi për 100 000 tonë mineral hekur-nikeli në Kubë”. Kjo për faktin se deri atëherë Shqipëria ishte furnizuesi kryesor me mineral hekur-nikeli i Republikës Socialiste Çekosllovake në bazë të një marrëveshjeje të majit 1958. Analistëve të CIA-s u kishte tërhequr vëmendjen mungesa e përfaqësuesve shqiptarë në festimet me rastin e 40-vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, krijuar më 14-16 maj 1921. Dhe ky fakt nga SHBA shihej “në veçanti si shenjë antagonizmi midis Pragës dhe Tiranës. Ndoshta problemi i nikelit ishte një ndër shkaqet e antagonizmit”. 

HAVANA

Veçse Praga nuk kishte parashikuar se më 17 prill 1961 SHBA do të sulmonte Kubën për rrëzimin e regjimit komunist të Fidel Kastros. Dhe që në atë kohë do të niste ajo që do të quhej “Kriza e Kubës”, një nga episodet më pikante të Luftës së Ftohtë. Nga ana tjetër Kuba ishte larg, për më tepër, në saj të një ndërhyrjeje të Enver Hoxhës, Havana kishte refuzuar të merrte një fabrikë ferro-kromi nga Çekosllovakia, që ia kishte premtuar Shqipërisë (“Delegacioni ynë tregtar qeveritar lajmëron nga Kuba se është pritur shumë ngrohtë. Është takuar me E. Guevarën, i cili ka thënë se do të na japin çdo gjë që kanë. Ka thënë, gjithashtu, se çekët u kanë propozuar kubanezëve fabrikën e ferrokromit që na e hoqën neve, por këta ua refuzuan, duke u thënë se shqiptarët i kemi vëllezër”, shkruante Enver Hoxha në Ditarin e tij, më 27 mars 1962). Por me gjithë ulje-ngritjet në marrëdhëniet e Tiranës me Pragën, kjo e fundit nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, sikurse veproi Bashkimi Sovjetik më dhjetor 1961, por vetëm sa hoqi ambasadorin. Madje, më 1 shkurt 1961, në Shqipëri, me iniciativën e tyre, erdhën delegacione tregtare të Çekosllovakisë, të Republikës Demokratike Gjermane dhe të Rumanisë, që, sipas Enver Hoxhës, “duhet të konsiderohet një tërheqje nga ata”.

PRAGMATIZMI

Thjesht, bohemianët, që dikur bënin pjesë në perandorinë dualiste austro-hungareze, u treguan pragmatikë: uzinën e shkrirjes së nikelit në qytetin e vogël Seregj [Sereď], në jugperëndim të Sllovakisë, e kishin ndërtuar me një teknologji të veçantë për xeherorin shqiptar të hekur-nikelit. (Më 22 gusht 1958, Enver Hoxha ka vizituar Nova Hutën (Metalurgjia e re), fabrikën e nikelit, atë të ndërtimit të makinave “Hengen” dhe qytetin ku ndodhet uzina metalurgjike). Kështu, nëse në vitin 1960, çekosllovakët importuan 255 mijë tonë mineral, 10 vjet më vonë, më 1970, kjo shifër arriti në 400 mijë tonë, në vitin 1988 morën 441 mijë tonë, dhe në vitin 1989, tre vjet para mbylljes së shkritores së tyre “Niklová Huta”, importuan 327 mijë tonë hekur-nikel. Në këtë uzinë ishin punësuar mbi 1 500 punëtorë të qytetit dhe zonave përreth. Pas mbylljes në vitin 1992, niveli i papunësisë arriti në 17 për qind, njoftonte në shtyp kryebashkiaku i Seregjit Vladimir Vranoviç. Kurse në eksportet shqiptare, midis 18 shteteve, Çekosllovakia, në vitin 1985, zinte vendin e parë me 17 për qind të totalit (të dhënat sipas Vjetarit Statistikor të Shqipërisë të vitit 1991). Po ashtu, Praga nuk kishte nevojë vetëm hekur-nikelin, ajo eksportonte në Shqipëri automjete (të famshmet -“Zetor”, “Tatra”, “Skoda”), lokomotiva, vagonë, artikuj të ndryshëm industrialë. Në përgjithësi njerëzit e thjeshtë çekosllovakë kishin simpati për shqiptarët, e kultivuar sidomos në shekullin XX, sidomos pas mospjesëmarrjes së Shqipërisë në pushtimin e Pragës në vitin 1968 nga trupat e Traktatit të Varshavës. Në këtë vend kanë studiuar më qindra specialistë të lartë shqiptarë.

Dokumenti i Radios Evropa e Lirë
Çekosllovakët do të blejnë nikel kuban për të zëvendësuar atë shqiptar

30 maj 1961. Njoftohet se qeveria çekosllovake ka bërë një porosi për 100.000 tonë mineral hekur-nikeli në Kubë. Burimi i njoftimit nuk është zyrtar, por i mirinformuar dhe, për pasojë, është i besueshëm. Gjithashtu ky burim thotë se po shkonin në Kubë ekspertë çekosllovakë të minierave. 
Sigurisht, informacioni qëndron. Ai është pak a shumë një shtojcë për historinë në vazhdim të devijimit të Shqipërisë.
Deri tani Shqipëria ka qenë furnizuesi kryesor me xeheror hekur-nikeli i RSÇ-së [iniciale për “Republikën Socialiste Çekosllovake” në periudhën 25.2.1948-31.12.1989, sot dy shtete të ndara, Çekia dhe Sllovakia] dhe ka pasur bashkëpunim mes dy vendeve në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar në maj 1958. Marrëveshja parashikonte një ndihmë ekstensive çekosllovake për shfrytëzimin e rezervave shqiptare të nikelit si dhe një kredi 25 milionë dollarë. Xeherori i hekur-nikelit do të nxirrej dhe pasurohej në Shqipëri dhe pastaj të transportohej në Çekosllovaki për rafinimin përfundimtar. Për këtë qëllim qeveria çekosllovake dërgoi gjithashtu specialistë minierash në Shqipëri dhe filloi ndërtimin e një uzine rafinimi të nikelit në Seregj [Sereď] të Sllovakisë. Gjithçka duket se ka shkuar pa probleme deri në fund të verës së vitit 1960 kur është raportuar se specialistë kinezë filluan të zëvendësojnë çekosllovakët në projektet minerare shqiptare. Në mes të muajit mars të këtij viti operacioni me sa duket ndaloi plotësisht kur shqiptarët bënë të ditur se do të ndërtonin një fabrikë rafinimi dhe të siguronin procesin e prodhimit të nikelit nga fillimi në fund. Pavarësisht nga protestat e përbashkëta çekosllovake-sovjetike shqiptarët nuk u përkulën dhe RSÇ-ja e u gjend ngushtë teksa po ndërtonte një fabrikë nikeli, por pa perspektivë të sigurimit të xeherorit të hekur-nikelit.
A kishte gjë më të natyrshme sesa t’i drejtoheshin Dr. Kastros [Fidel] dhe që do të ishte në të mirë të gjithkujt? Kuba është e pasur me xeherorë hekuri dhe ka sasi të konsiderueshme xeherori të oksidit të ferro-nikelit. Më parë pjesa më e madhe e eksporteve të saj ka shkuar në SHBA, por tani jo më. Kështu, Kuba nuk kishte blerës dhe Çekosllovakia nuk kishte furnizues. Prandaj, ekonomikisht do të ishte bast i mirë dhe politikisht do të ishte fituese.
Mungesa e përfaqësuesve shqiptarë në festimet me rastin e 40-vjetorit të krijimit të PKÇ-së [inicialet për “Partinë Komuniste e Çekosllovakisë”, krijuar më 14-16 maj 1921 dhe që ka ekzistuar deri në vitin1992] konsiderohet në veçanti shenjë antagonizmi midis Pragës dhe Tiranës. Ndoshta problemi i nikelit ishte një ndër shkaqet e antagonizmit.

Shënim: Titulli është i origjinalit, kurse përkthimi dhe sqarimet në kllapat katrore janë të autorit të shkrimit.