“Do të japim me koncesion edhe terminalin e katërt e të fundit, atë të mallrave gjenerale. Presim propozime nga subjektet edhe për këtë terminal në kuadër të masterplanit që kemi në zbatim. Është në projekt për vitin 2018, me qëllim mirëmenaxhimin e territorit të portit të Durrësit. Ne kemi patur probleme me territorin e portit”,- kështu ka thënë mes të tjerash, Artjan Qirici.

Kreu i APD-së tha se prioritet për këtë vit mbetet thellimi i portit, për të cilin janë gati edhe fondi 9 milionë euro, edhe projekti. Ecuria e vitit 2017 dhe Plan-Biznesi 2018 ishin në qendër të takimit konsultativ në APD, me pjesëmarrje të grupeve të interesit që operojnë në portin e Durrësit dhe përfaqësuesit e institucioneve më të rëndësishme të qytetit. 

APD në objektivat për vitin 2018 parashikoi rritje me 15 %, të vëllimit total të mallrave, prej të cilave 12% të transportit të mallrave me tragete. 

Në takim janë trajtuar gjerësisht problematikat me të cilat ndeshen grupet e interesit në portin e Durrësit, janë bërë propozime konkrete si dhe janë bërë publike rezultatet ekonomike-financiare të APD-së për vitin 2017.

Artjan Qirici, kreu i APD, bëri publik Plan Biznesin për vitin 2018 në drejtimet kryesore, objektivat, si dhe parashikimet e investimeve, shpenzimeve dhe treguesve kryesor Ekonomik – Financiar. Në plan biznes është parashikuar rritja e lehtë e tarifave portuale, gjë e cila u kundërshtua nga ana e kompanive të lundrimit.

Në takim pati diskutime, propozime, si dhe masa konkrete për koordinimin e veprimtarisë; për problematika dhe shqetësime të ndryshme në ndihmë të një bashkëpunimi sa më produktiv dhe eficient të të gjithë aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë në Port dhe më gjerë.

K.H.