Era e fortë ka përfshirë Durrësin dhe bregdetin Adriatik rreth mesditës, kohë kur është intensifikuar në maksium, duke shkaktuar problem në lëvizjen e njerëzve.

Mëngjesi ka qenë i qetë por rreth mesditës ka mbërritur një stuhi ere me drejtim nga jug-lindja, bën me dije kapiteneria e portit të Durrësit.

Shpejtësia e erës ka shkuar 25 metra për sekond, ndërsa në det të hapur 35 deri në 40 metra për sekondë. Valëzimi në det brenda gjirit të Durrësit shkon 6 ballë ndërsa në det të hapur 8 ballë. 

Kapiteneria lajmëroi të gjithë mjetet lundruese të shkojnë në vendstrehime të sigurta dhe nuk lejohet dalja në det deri në një moment të dytë e asnjë mjeti lundrues. 

Puna në port është pezulluar përkohëshisht. Vinçat e ngarkim-shkarkimit nuk punojnë për shkak të erës së forte.

Pasdite vonë pritet të ulet shpejtësia e erës që porti i Durrësit t'i rikthehet normalitetit, bëjnë me dije burimet zyrtare.