Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur 90 vjet më parë, në të njejtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i infrastrukturës rrugore në pjesën Qendrore të qytetit antik.

Për disa qindravjeçarë mjetet lundruese të udhëtarëve e mallrave ankoroheshin në dy ura druri, ose prisnin në radën portuale të Durrësit.

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i portit nisi në vitin 1928 nga firma italiane “Mazzorana” dhe përfshiu thuajse të gjithë sipërfaqen aktuale të portit më të madh të vendit tonë. Krijimi i basenit dhe thellimi i portit vazhduan deri në vitin 1934.

Në të njejtën periudhë janë ngritur edhe ndërtesat në hyrjen kryesore të portit, ku është vendosur pjesërisht administrata e Autoritetit Portual.

Godinat hyrëse dhe një pjesë e infrastrukturës portuale janë ngritur mbi bazën e një plani rregullues urbanistik menjëherë pas tërmetit të vitit 1926 që goditi qytetin antik.