Moti i keq ka pezulluar lundrimin në  Portin e Vlorës. Për shkak të detit të trazuar dhe me shumë dallgë, priten vonesa në linjën e tragetit Brindisi-Vlorë. 

Ndërsa në Portin e Durrësit aktualisht nuk paraqiten probleme dhe lundrimi vijon normalisht. Burime nga Kapitaneria bënë me dije për “DurrësLajm” se për momentin deti është 3-4 ballë, por me tendencë për rritje.

Megjithatë sipas parashikimeve, pritet që gjatë pasdites moti të rëndohet dhe për këtë janë lajmëruar anijet e vogla të peshkimit që të mos dalin nga pasditja në det, por të jenë të siguruar dhe anijet t’i kenë të ankoruara.