Një grup studentësh gjermanë, francezë dhe shqiptarë vizituan sot në mesditë portin eDurrësit, në kuadër të projektit "Ideas and Action for Europe: Energy and Environment in the 21st Century". 

Veprimtaria është organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me mbështetjen e “Centre International de Formation Europennee” dhe “Franco-German Youth Office”.

Për më shumë se një orë Blerina Hasani, drejtore e Mjedisit, Sigurimit teknik, Mbrojtjes së shëndetit dhe Departamentit të Emergjencave në APD si dhe shefi i sektorit të Promocionit, Arben Xhemali u bënë të njohur të pranishmëve në Sallën e Trajnimeve jo vetëm funksionimin e portit, por edhe projektet e afërta në hapësirën portuale.

Studentët shqiptarë dhe të huaj, mjaft të interesuar për zhvillimet e portit më të madh të vendit tonë kërkuan më shumë informacion, veçanërisht për kushtet dhe politikat mjedisore që aplikohen në territorin e tij.

Më pas të rinjtë u shoqëruan në Terminalin e Mallrave Gjenerale, ku panë nga afër proceset e përpunimit të anijeve.

24 të rinjtë nga Gjermania, Franca dhe Shqipëria kanë në fokusin e vizitës së tyre në vendin tonë çeshtjet mbi energjinë, mjedisin dhe integrimin europian.