Nga Bujar Qesja

Me datë 24 janar 2018, në orën 13.00 iu dha lamtumira e fundit, Berham (Burhan) Trumës, njërit prej notarëve historikë të Teutës dhe Lokomotivës. Duke qenë i vendosur në evidentimin e dukurive të tilla, pavarësisht nga kohët delikate që kanë ardhë, nuk mund të bëj përjashtim, për të hedhur në publik disa rradhë për Trumën e njohur të notit. Pohoj se janë kohë delikate, pasi gjërat duhet ti kapësh me intuitën tënde, me vigjilencën tënde, pasi ka ardhur një brez, që nuk orjentohet lehtë me forcën e zakonit. E për hir se ky brez, e ka një mangësi të tillë, na takon ne më të ndjeshmit e zhvillimeve sportive në Durrës, të mos lodhemi së treguari e shkruari, sidomos për ato protogonistë të sportit, që largohen nga jeta pa bujo. Kjo rrezikon të mos flitet asgjë për to dhe kjo e dëmton historinë tonë. Mangësitë këtu janë të thella, e për hir të plotësimit sadopak të këtij vakumi, me ndjeshmërinë profesionale dhe qytetare, i vendos vetes detyrë jo vetem të mos heshtë, por të “bërtas”me lapsin në dorë, për të treguar se kjo është e mira që të bëhet. Kështu ndodhi edhe tani.

Sot në mëngjes, datë 25 janar 2018, anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Notit Ilir Ngresi, më jep lajmin e dhimbshëm, që u nda nga jeta, nga miqtë dhe të afërmit, nga shoqëria dhe familja, një tjetër emër i famshëmm i notit Koço Afezolli. Ndarja e fundit me të nisi në orën 12.00, pra 23 orë nga përcjellja që iu bë Burhan Trumës. Edhe Zoti vetë, po i bashkon miqtë, për të qenë së toku edhe në jetën e përtejme. Dhimbja është e madhe. Lotohemi dhe rrëmojmë në kujtime. Edhe Koçi edhe Burhani, janë shumë më të mëdhenj nga unë dhe disa gjëra jam orjentuar nga përvoja dhe stazhi i gjatë në zanatin e letrave. I kam patur të dy miq. Me të dy kemi shkëmbyer kujtime dhe informacion nga historiku i notit.

Berhan (Burhan) Truma

Mbyll sytë përgjithmonë dhe nuk na sheh më, që nga 23 janari 2018, për të ndrruar banesë përgjithmonë me 24 janar 2018. Mosha e tij 88 vjeçare. Këto shifra jetësore, të orjentojnë, për një fillim të hershëm të notit nga Truma. Lindja e Burhan Trumës, viti 1930, koinçidon me fillimin e kampionatit të parë të notit dhe me krijimin e Federatës Kombëtare të Notit Shqiptar. Ajo që e inkudaron në histori Burhan Trumën është ky fakt historik. Në ballkaniadën e vitit 1946, kur për herë të parë dhe të fundit u organizua në Budapest (kryeqyteti i Hungarisë), Burhan Truma në përbërje të ekipit përfaqësues të Shqipërisë, startoi në stilin bretkocë. Por atje vuri re që notohej edhe në stilin e panjohur më parë tek ne, në atë delfin. Burhan Truma është notari i parë shqiptar, që praktoi stilin delfin në garat kombëtare në Shqipëri. Pra nuk jeton më, ky format notari. Burhan Truma jetonte në lagjen e famshme për durrsakët Sefer Efendiu. Dhe kjo lagje, është është prodhuesja e lëndës së parë të sporteve në Durrës dhe veçanërisht notit. Këtu ka lindur mjeshtri i futbollit Panajot Pano, mjeshtri i shahut Fatos Muço, futbollisti Abdulla Duma, gjyqtari ndërkombëtar Shazivar Gruda, hedhësi fantastik i çekiçit Rruf Kazazi dhe më tej notarët historikë dinastia Kapexhiu, Mirban Kadiu, Arben Rrogozhina etj. Dhe Burhan Truma këtu e ka ngulimin. Notoi deri në fund të viteve 50-të, duke u dalluar në stilin bretkocë dhe delfin. Nuk arrita të marrë prej Burhanit një foto të jashtëzakonshme, dalë në Budapest. Është me tarzanin e detit Taq Dafa. Burhan Truma vendosi emër në notin durrsak dhe atë shqiptar. Mbase nuk ishte ndër më të mirët notar. Por ishte një prerje cilësore, që ndonëse është larguar nga noti para 63 viteve, emri i tij u lakua vazhdimisht, duke u inkuadruar në fondin e artë të notit shqiptar. Thënë ndryshe dhe në mënyrë figurative, me 24 janar 2018, vdiq “delfini” shqiptar i notit.

Koço Afezolli

Ndër organizatorët më të paepur të notit. I krijuar për të qenë i tillë. Lindja e tij është viti 1931, kohë në të cilën noti, po përjetonte themelimin e tij në anën organizative. E veçanta tek Koço Afezolli është shpirti i palëkundur sportiv. Kam qenë prezent, që ai interesohej miqësisht që në aktivitetet që zhvilloheshin në Tiranë, të mos e linim pa e marrë. Dhe atje aktivizohej në rolin e gjyqtarit. Koçi, është nga të rrallët në mos i vetmi, që në moshën 85-86 vjeçare qendronte në pishinë, pranë brumit që ishte mësuar ta gatuante prej dhjetra e dhjetra vite, notarët. Entuziast për arritjet, shumë pasionant për të prekur zhvillimin e notit, i gëzuar pa masë edhe për angazhimet ndërkombëtare të notarëve tanë. Afezolli kishte shpirt të gjërë dhe i donte shumë notarët, veçanërisht me shokët që e nisi këtë rrugë të vështirë, por të bukur. I përjetonte, deri në dhimbje largimin e shokëve të tij nga jeta. Kështu ndodhi me stilistin e krrolit, të mirin Eqerem Korra. E kam parë të qajë si fëmijë kur mësonte lajme të tilla trishtuese: si vdekja e Vlash Dhimës, Kristaq Bekridhelit të madh, motrës së tij që shkriu rininë për notin Luçi Bekridhelit, trajnerin e shkëlqyer Sul Tufa, dy vëllezërit Kapexhiu Shaqirin dhe Sabriun, dinastinë Rexha, me Osmanin, Shuapin, Dautin dhe Rasimin, Gafurr Hasnedarin, Bashkim Dakolin e tani së fundi Agron Ismailatin, Skënder Kuranin dhe Xhevdet Mitrakun. Ishte konsulent dhe ndikonte në futjen e të resë në not. Brezin e tanishëm të notarëve i kishte si fëmijë dhe i qendronte pranë. Fëmijët e donin me shpirt Koço Afezollin dhe sa e shikonin e rrethonin dhe kishin nevojë të dëgjonin këshillat e tij. Dhe ai së pari i rrëfente atyre, historirnë e notit, si lindi ai, pjesë aktive e të cilit ai mbeti për shumë e shumë dekada. Notoi në stilin shpinë dhe në stilin e lirë. Por shpinën, e kishte garën e zemrës. Megjithëse në kampionatet e para kombëtare, kishte një rivalitet spikatës, Afezolli me trupin e bëshëm dhe krahët e fuqishëm, trondiste ujët e detit, teksa prekte i pari finishin. Durrsakët bënin ligjin në notin shqiptar. Garimet në zadrat e gjirit të portit, janë të papërsëritshme dhe tronditej i gjithë Durrësit. Notarët shikoheshin si mbitokësorë, pasi ishin shumë të fuqishëm. Të tillë kujtohen Taq Dafa, Kastriot Karamuço, Niko Kurani, Mirban Kadiu, Eqerem Korra, Ferid Velja, Spiro Urumi, vëllezërit Kapexhiu, Burhan Truma, Ilmi Kapllani, Agron Ismailati, Shyqyri Gjepali etj, etj. Koço Afezolli bëri edhe të birin notar të njohur, Spartakun. E gjithë jeta i këtij sportisti model, kuadri të përkushtuar, organizatorit të shkëlqyer, qytetarit fisnik dhe të kulturuar, kaloi me notin dhe pranë notit.
E enjtja e 25 janarit 2018, është dita e përcjelljes për në banesën e fundit të mikut tonë të shkëlqyer, të shokut tonë të shtrenjtë, të njërit prej personaliteteve të notit kombëtar, gojëëmblit dhe zemërmadhit, të qytetarit plot kulturë dhe xhentilesë, të paharruarit Koço Afezolli.

Tradita e notit durrsak, humbi dy nga kapitujt pikantë të saj. Por vetëm fizikisht. Ato edhe më tej do të mbeten, historia e gjallë dhe e pasur e notit. Ajo është e denjë të përcillet në breza, pasi kështu të denjë ishin edhe ato që e bënë këtë histori. Lamtumirë Burhan Truma dhe Koço Afezolli! Durrësi dhe njerëzit e tij, ju detyrohen në kujtesë dhe mirënjohje.

Foto e parë poshtë: Nje grup veteranesh te notit. Koço Afezolli, eshte i treti, ne kembe, nga e majta ne rradhen e mesit

Foto e dytë poshtë: Nga e majta: Eqerem Korra, Vlash Dhima, Koço Afezolli dhe Hysen Haxhia

Foto e tretë poshtë: Koço Afezolli eshte ne rreshtin e dyte, i gjashti ne kembe, duke filluar nga e djathta