Policia e Durrësit ka dhënë detajet zyrtare rreth ngjarjes së regjistruar mbrëmjen e së dielës në Krujë, ku një 22-vjeçar u gjet i pajetë në automjetin e tij.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, kemi të bëjmë me vetëvrasje.
“Më datë 18.02.2018, rreth orës 20:20, në fshatin Gramëz, Krujë, prapa banesës së tij, (në garazh) në automjetin tip “Fiat” është gjetur i vetëvrarë me armë zjarri pistoletë shtetasi M.Ç. 22 vjeç, banues në Gramëz Krujë”, njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit tip pistoletë model 54, të cilën viktima e mbante pa leje.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar në nenet 99 dhe 278/ 2 të Kodit Penal.