Ditën e nesërme më 15 shkurt, në Durrës do të nisë faza e tretë e aksionit të Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike.

"DurrësLajm" mëson se aksioni do të shtrihet ne Rrugën Tregtare nga bashkia deri tek Torra Veneciane. Qëllimi i kësaj faze aksioni, është lirimi i hapësirave publike, veçanërisht trotuareve nga vazo lulesh, tavolina, bllokuese rrugësh, kone, sfera betoni, kangjella hekuri etj.

Mësohet se efektivët e Policisë Bashkiake do të lejojnë tavolinat vetëm në njërën anë duke mos penguar lëvizjen normale të qytetarëve në trotuare, e mjeteve në rrugë.

Ashtu siç ishte parashikuar që në nisje të aksionit të madh në muajin janar, aksioni do të vijojë hap pas hapi në gjithë qytetin e Durrësit. Kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, ka deklaruar më herët për "DurrësLajm" se nuk do të ketë më asnjë tolerim dhe kontrollet do të jenë të përditshme.

Aksioni zhvillohet në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Gjelbërimit, Inspektoratin Ndërtimor dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit.

S.L.

(Foto të shkrepura një ditë para nisjes së aksionit)