Qytetarët të cilëve nuk u jepet kupon tatimor kanë të drejtë të refuzojnë pagesën e faturës. Drejtorja e Përgjithshme e Përgjithshme e Tatimeve, ka dalë në një deklaratë për shtyp për tu bërë thirrje të gjithë bizneseve në zonat turistike, që nuk janë të regjistruar dhe nuk lëshojnë kupon tatimor, se inspektimet e administratës kanë filluar dhe nuk do të tolerohet askush.

“Dëshirojmë t’ju drejtohemi publikisht këtyre sipërmarrjeve për t’iu thënë se nuk do të ketë asnjë tolerancë nga administrata tatimore në funksion të zbatimit të ligjshmërisë së këtyre bizneseve deri në mbyllje të aktiviteteve të tyre për një periudhë 30 ditore, çka do të dëmtonte realisht aktivitetin e tyre. Sakaq qytetarët të refuzojnë të paguajnë kuponin tatimor”, tha Vasilika Vjero, Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve.

Vasilika Vjero tha se situata e mosregjistrimeve të bizneseve është konstatuar gjatë vizitave që janë bërë në terren nga ana e inspektorëve. Ajo premtoi se nuk do të ketë kontrolle për bizneset që deklarojnë xhiron reale në sistemin e tatimeve.

“Ndaj për këto sipërmarrje të cilat tregojnë përgjegjshmëri në ushtrim e aktivitetit të tyre administrate tatimore do të vijojë të ketë një qasje shumë pozitive, duke reduktuar kontrollet tatimore për sa kohë ata do të vijojnë të vetëdeklarojnë dhe paguajnë rregullisht detyrimet. e kundërta do të ndodhë me ata tatimpagues, të cilët kërkojnë t’i fshihen administratës tatimore.”

Administrata ka ftuar që të bëhen bashkëpunëtorë në aksionin e tatimeve edhe qytetarët, të cilët mund të denoncojnë me foto, video apo telefonata. Ftesa u bë edhe për punonjësit që nuk janë të siguruar, të cilëve do t’i ruhet konfidencialiteti.