Ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish-shefi i postës Kufitare Dhërmi, Sokol Bode dhe ish-shefi i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në drejtorinë e Vlorës, Gjergji Kohila janë shpallur zyrtarisht në kërkim. Ka dyshime të forta se tre ish-funksionarët e lartë të policisë së Vlorës kanë dalë jashtë shtetit. Nga të dhënat që ka administruar prokuroria dyshohet se Jaeld Çela ka dalë nga territori i vendit dhe sipas prokurorëve ka shumë gjasa që të jetë fshehur në Panama, shkruan “Shqiptarja.com”. Arratinë e tre ish-zyrtarëve të policisë që dyshohet se janë të imlikuar në trafikun e drogës me grupin e drejtuar nga vëllezërit Habilajve, e ka konfirmuar dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Ndërkohë një tjetër burim i tha gazetës “Shqiptarja.com” se operacioni për ndalimin e tre efektivëve të policisë, dyshohet se kanë favorizuar bandën e Habilajve, mendohet se është dekonspiruar. Ky operacion i drejtuar prej kryeprokurorit për Krimet e Rënda Besim Hajdërmataj ka dështuar duke mos arrestuar asnjë prej 3 efektivëve të policisë. Ka qenë ora 10:30 e paradites së 22 nëntorit kur Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, i kanë mbërritur 2 urdhër ndalime dhe 1 urdhër-arresti për ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës.

Pavarësisht se bëhej fjalë për një urdhër arresti sekret ndaj Sokol Bodes dhe urdhër ndalimi, po i fshehtë për Jaeld Çelën dhe Gjergji Kohilan, asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Ministria e Brendshme sqaron nëpërmjet një njoftimi se SHÇBA ka filluar menjëherë procedurat për ndalimin e ish-zyrtarëve dhe se operacioni që drejtohej nga Kryeprokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj nuk ka rezultuar i suksesshëm.

Provat në banesë e takimi në prokurori
Ministria thotë se është mundur të sekuestrohen në banesat e personave të mësipërm në cilësinë e provave materiale, elementë që konsiderohen të rëndësishëm për hetimin. Të gjitha veprimet procedurale nga SHÇBA-ja, pas njohjes me aktet e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës, janë drejtuar nga Prokurorët e çështjes dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, për ndjekjen e hapave procedurale sipas radhës së veprimeve në interes të hetimit. Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre. Nga kontrolli në banesa dhe ambiente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë.