Gjykata e Apelit e Durrësit ka rrëzuar Gjykatën e Shkallës së Parë së këtij qyteti, e cila në 11 Korrik liroi nga burgu Alket Hatiajn, i dënuar me 20 vite burg për trafik droge nga drejtësia italiane në 2015.

Apeli ka ndryshuar masën e sigurisë në arrest me burg për 43 – vjeçarin. Vendimi i formës së prerë nuk është mundur të ekzekutohet nga policia e Durrwsit, pasi Hatija nuk është gjetur në adresën ku banon, raporton TV Klan.

Ai tashmë ndodhet në arrati dhe policia po punon për kapjen e tij.

Shkalla e dytë ka prishur vendimin në të cilin Hatija do të priste procedurat e ekstradimit në Itali me masën e sigurisë detyrim paraqitje dy herë në muaj në prokurori.

Gjykata e Apelit është bindur nga argumentimi i prokurorisë, e cila ka kërkuar arrestimin. Shkalla e Parë e liroi 43 – vjeçarin me argumentin se ai e kishte kryer njëherë këtë dënim, kur u arrestua në vitin 2008 në vendin tonë.

Ai kreu 6 vite burg, për t’u liruar në 2014. Sipas prokurorisë italiane, në vitet 2003-2004, Hatija është arrestuar në Milano me 350 kilogramë heroinë dhe 190 kilogramë kokainë. Vlera e drogës kapte shifrën e rreth 40 milionë eurove.