Dita e diel ka qenë mjaft e ngarkuar për efektivët e policisë rrugore në Durrës, të cilët kanë monitoruar akset kryesore, sidomos ato që të çojnë në zonat turistike për të parandaluar aksidentet dhe rradhët e gjata në trafik, si pasojë e fluksit të pushuesve.

Por krahas këtyre dy prioriteteve të saj, policia ka goditur me ‘dorë të fortë’ të gjithë shkelësit e Kodit Rrugor.

Pas 14 arrestimeve të realizuara gjatë të shtunës, kryesisht për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe qarkullim pa leje drejtimi, gjatë ditës së diel, vëmendja e policisë rrugore është përqendruar në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar, në rrugën “Taulantia”.

Dhe pikërisht në këtë aks rrugor që lidh qytetin me disa nga lokalet dhe pubet verore më në zë, policia ka arrestuar në flagrancë 4 të rinj, që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Festimi deri në orët e vona të natës i shtyn të rinjtë të konsumojnë sasi alkooli mbi normën e lejuar duke rrezikuar kështu të kthehen në shkaktar aksidentesh rrugore. 

Duket se policia është përqendruar të dielën pikërisht në këtë aks për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë shkelësit e Kodit Rrugor.

Të arrestuarit në flagrancë nga policia:

  • Më datë 15.07.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi V.M., vjeç 30, banues në Durrës, pasi në rrugën “Taulantia” u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Benz”. Neni 291 i Kodit Penal.
  • Më datë 15.07.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi V.P., vjeç 24, banues në Durrës, pasi në rrugën “Taulantia”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip 'Audi'. Neni 291 i Kodit Penal.
  • Më datë 15.07.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi E.N., vjeç 29, banues në Durrës, pasi në rrugën “Taulantia”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur,  mjetin tip “Benz”. Neni 291 i Kodit Penal.
  • Më datë 15.07.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi E.R., vjeç 31, banues në Durrës, pasi në rrugën “Taulantia”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Volksëagen”. Neni 291 i Kodit Penal.