Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka shkrirë Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit pas ngjarjes së 18 shtatorit, kur një makinë 'Audi' e blinduar përplasi automjetin e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit.

Në një konferencë shtypi, Çako deklaroi se 12 drejtuesit e Policisë së Elbasanit janë shkarkuar nga detyra pasi u cenua rëndë imazhi i Policisë së Shtetit nga mosreagimi i efektivëve të policisë.

“Ngjarja e Elbasanit ishte cenim i imazhit për punë e Policisë së Shtetit. Pas hetimit të kryer nga Drejtoria e Standardeve profesionale por edhe duke vlerësuar raportin e detajuar të ankesave strukturat drejtuese dhe operues në drejtorinë vendore Elbasan ishin të paafta për menaxhimin e situatës së datës 18 shtator”, tha ai.

Sipas tij, pamjet filmike ishin tronditëse, pamjet treguan paaftësinë e policisë. Policia e Elbasanit nuk ishte në lartësinë e duhur për një ngjarje të rëndë.

“Sigurisht kjo ngjarje kërkon nxjerrjen e përgjegjësive konkrete. Pikërisht prandaj, në konstatim të shkeljeve të rënda bazuar në Rregullorën e Policisë së Shtetit, kam urdhëruar masa disiplinore për 12 drejtues dhe punonjës të Policisë së Elbasanit, si më poshtë:

1. Lirimin nga kjo detyrë të Drejtorit të Policisë Vendorë Elbasan, Drejtues i Parë Arben Dashi dhe vënien në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit , për emërimin e tij në një detyrë tjetër.

2 .Shkarkimin nga detyra të Zv/Drejtorit të Policisë Vendore Elbasan, Kryekomisar Gjergji Oshafi.

3. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Sektorit për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Ilir Sula.

4. Shkarkimin nga detyra të Shefi I Rendit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Kujtim Muça.

5. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Elbasan,Kryekomisar Zija Sulaj.

6. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet e Rënda, N/Komisar Ervin Ballaci.

7. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan, N/komisar Abedin Halilaj.

8. Shkarkimin nga detyra të Specialistëve për Krimet, N/Komisar Petrit Mustafa, N/komisar Klajdi Hoxha dhe N/komisar Gerald Agalliu.

9. Shkarkimin nga detyra të SPZ-së, Inspektor Gëzim Suli.

10. Përjashtim nga Policia e Shtetit për SPZ, Inspektor Ferdinand Balliu.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan do t’i nënshtrohet një ristrukturimi nga themelet dhe do të godasë fort dhe deri në fund, për asgjësimin e çdo rrjeti kriminal në zonën e Elbasanit.

Për këtë arsye kam komanduar në krye të kësaj drejtorie një nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Departamentit të Sigurisë Drejtues i Lartë Altin Qato,  i cili do të mbështetet nga një sërë specialistësh të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit,  të caktuar në mbështetje të tij për drejtimin dhe menaxhimin e strukturave Vendore qoftë në planin e ristrukturimit të plotë, qoftë në planin e goditjes së elementeve kriminalë.

Së fundmi, dëshiroj t’i drejtohem të gjithë qytetarëve:

Kini besim të plotë tek Policia e Shtetit”, tha Çako.