Banorët e lagjes së Kecëve në Shijak kanë nisur protestat si rezultat i nisjes së punës së një inceneratori të vënë në funksion pa dijeninë e tyre.

Banorët janë lajmëruar ditën e sotme për një dëgjesë publike me përfaqësues të firmës ndërtuese të fabrikës e cila në magazinat e saj kishte depozituar mbetje spitalore të ndryshme.

Banorët janë mbledhur para derës së firmës duke deklaruar se do të kundërshtojnë me forcë funksionimin e fabrikës e cila ka si qëllim përpunimin e mbetjeve spitalore dhe të kafshëve të ngordhura, për të shmangur ndotjen mjedisore. Banorët hodhën akuza në drejtim të lejes së dhënë kësaj firme nga ana e autoriteteve shtetërore. 

Pas nisjes  së protestës ka mbërritur edhe policia e Shijakut dhe oficerët e policisë gjyqësore të cilët kanë nisur hetimin, por janë përplasur me policinë, për shkak se nuk lejoheshin mediat për të parë çfarë materialesh gjendeshin brenda magazinës.

Nga këqyrja e magazinës brenda, është vënë re se në të gjendeshin të grumbulluara materiale të ndryshme spitalore dhe të dentistëve, duke nisur prej shiringave, tapave plastike, fashove etj.

Banorët e Shijakut janë shprehur të bindur se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë funksionimin e kësaj fabrike që gjendet në territor të banuar. Ata thanë se do të përdorin çdo mjet për të ndalur punën e kësaj fabrike, që sipas tyre është pronë e një mjeku dentist të qytetit të Shijakut.

K.H.