Bashkia Durrës këtë vit do t’i bashkohet nismës JAVA EVROPIANE E LËVIZSHMËRISË, e cila zhvillohet çdo vit nga data 16 shtator deri më 22 shta­tor. Kjo Javë nxit bashkitë e qyteteve Evropiane (përfshirë qytetet nga Shqipëria) të prezantojnë dhe promovojnë ndërmarjen e një sërë masave për të realizuar një transport sa më të qëndrueshëm duke ftuar të gjithë individët që të përdorin alternativa të tjera për të udhëtuar dhe lëvizur përveç përdorimit të mjeteve motorike.

Çdo edicion i JAVËS EVROPIANE TË LËVIZSHMËRISË fokusohet në një tematikë të veçantë lidhur me lëvizshmërinë dhe transportin e qëndrueshëm. Tema e këtij viti është: “Lëvizshmëri e përbashkët, pa ndotje dhe e zgjuar”. Kjo tematikë promovon zgjidhjet alternative për lëvizshmëri të qëndrueshme dhe thekson përfitimet që vijnë nga forma të ndryshme dhe më të pastra të trans­portit. Theksi i kësaj temë vihet në përdorimin e të mirave materiale, më shumë sesa në zotërimin e tyre.

Kështu, në kuadër të promovimit të mënyrave alternative të lëvizshmërisë, Bashkia Durrës në bashkëpunim me grupimin qytetar “Bicycle Durrës” (që ka në fokus edukimin drejt përdorimit të biçikletës), me datë 17 shtator 2017, ora 10:00-12:00 do të zhvillojë një pedalim në qytet, ku do të ketë të pranishëm qytetarë të grup-moshave të ndryshme. Nisja do të bëhet nga Sheshi “Liria”, për të vazhduar më poshtë përgjatë Bulevardit Dyrrah, Rrugës Mujo Ulqinaku, Rrugës Hysen Kërtusha, Rrugës Aleksandër Goga dhe për të përfunduar më pas në sheshin përpara Teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Java Evropiane e Lëvizshmërisë, do të vijojë më tej me lançimin e Projektit SUMPORT (Sustainable Urban Mobility in Med Port Cities) më datë 18 shtator 2017, në Sallën e Këshillit Bashkiak. Qëllimi i këtij Projekti është hartimi dhe përditësimi i Planeve të Lëvizshmërisë Urbane të Qëndrueshme në qytet portet e mesdheut, duke miratuar zgjidhje të qëndrueshme dhe inovative për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve si dhe për të kontribuar në atraktivitetin e qytetit për turistët. Lançimi i Projektit SUMPORT, do të bëhet gjatë Javës Evropianë të Lëvizshmërisë, duke qenë se qëllimi i këtij projekti përputhet me moton dhe tematikën e kësaj Jave.

Gjithashtu, gjatë Javës Evropianë të Lëvizshmërisë do të zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera si p.sh. fushata e sensibilizimit për Javën Evropianë të Lëvizshmërisë e cila do të zhvillohet nga Bashkia Durrës dhe grupimi “Bicycle Durrës” çdo mbasdite, nga data 18.09.2017 deri më datë 22.09.2017, në Sheshin “Liria”. Po kështu, Bashkia Durrës në bashkëpunim me përfaqësues të organizmave të shoqërisë civile, do të zhvillojë disa fushata sensizbilizimi mbi rregullat e qarkullimit rrugor, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare.

Java Evropiane e Lëvizshmërisë do të kulmojë me aktivitetin ‘Dita pa Makina’, e cila do të organizohet më datë 22 shtator 2017. Gjatë ditës 22 shtator do të zhvillohen një sërë aktivitetesh ndër të cilat edhe një maratonë. Me qëllim realizimin sa më me sukses të kësaj maratone, do të ketë kufizime të lëvizjes së makinave nga ora 10:00 deri në orën 14:00, në akset rrugore: Mauzoleumi i Dëshmorëve (Rruga A. Goga) – Bulevardi Epidam – Torra Veneciane si dhe Bulevardi Dyrrah – Rruga Grigor Durrsaku.

Gjithashtu, gjatë kësaj dite do të orgnizohet edhe një ekspozitë/konkurs lidhur me idenë më të mirë mbi Lëvizhsmërinë e Qëndrueshme në qytet, ku në përfundim do të jepet edhe një çmim për fituesin e konkursit. Për më tepër, në Ditën pa Makina, Bashkia Durrës ka mundësuar ofrimin e guidave nëpër qyetet me makinat elektrike, të cilat do të ofrohen pa pagesë për të gjithë qytetarët.