Pikërisht mëngjesin e sotëm në katedralen e qytetit "Shën Pavli e Shën Asti" është mbajtur mesha solemne e përvitshme nga At Spiro Tola,  ku të pranishëm ishin qindra besimtarë që të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia.

Meshat kanë filluar që mbrëmë në mesnatë ku besimtaret i janë bashkuar festës së madhe, kremtimit të lindjes së Krishtit, ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të sotëm, besimtarët durrsakë ndoqën meshën dhe ndezën qirinj, duke u lutur për mirëqënie ekonomike, paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, në një atmosferë mjaft festive.

Më pas qytetarët janë drejtuar për në familjet e tyre për të gatuar dhe kryer ritet përkatëse të kësaj feste, duke shkëmbyer mesazhe urimesh mes njëri-tjetrit. 

Me rastin e festës së Krishtlindjeve, përfaqësues të partive politike si dhe zyrtare të pushtetit lokal në qytetin e Durrësit kanë zhvilluar vizita të oraganizuara në qendrat kishtare të komunitetit ortodoks dhe katolik, ku janë pritur e kanë shkëmbyer mesazhe urimi e paqeje sociale me rastin e kësaj feste të shënuar të krishtërimit.

Vizita kanë bërë edhe përfaqësues të klerit mysliman, të cilët janë mirëpritur me dashamirësi nga priftërinjtë dhe kanë qëndruar pak kohë në tryezat mikëpritëse të Krishtelindjeve.