Sulmi ndaj Ambasadës Amerikane në Mal të Zi, ka vënë në gatishmëri edhe forcat e policisë shqiptare, të cilat kanë rritur sigurinë përreth selisë diplomatike që ndodhet në Rrugën e Elbasanit në Tiranë.

Këtë të enjte pranë Ambasadës patrullonin më shumë efektivë të Policisë së Shtetit.

Burimet zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë konfirmojnë se uniformat blu do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri, raporton "Vizion Plus".

Për të përforcuar sigurinë, janë aktivizuar edhe agjentët e strukturës kundër terrorizmit.

Ata po monitorojnë nga afër jo vetëm Ambasadën Amerikane, por edhe selitë e tjera diplomatike të rëndësishme që ndodhen në kryeqytet.