Antidroga e Tiranës ka arrestuar një 39-vjeçare, e cila vitin e kaluar, u ndalua në Portin e Durrësit, e dyshuar si korriere e 2.3 kg heroinë, që kishte si destinacion Italinë. Burimet e Policisë thanë se droga do dërgohej në Itali, shkruan sot “Panorama”.

94e38bac-d27d-43a7-bf60-86051a20c2ca

Burime nga Policia e Shtetit, thanë se e arrestuara është Laureta Lami, e cila pasi u la e lirë në vitin 2017, u dënua në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, me akuzën e moskallëzimit të krimit, 

Ajo u deklarua fajtore dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj heqje lirie. Laureta Lama u arrestua në janar të vitit 2017, bashkë me 67- vjeçarin Bashkim Hasani, pas informacioneve që po trafikonin një sasi droge.

Në çantën e Lamës, Policia gjeti pakot me heroinë, të cilat ajo i mohoi, duke këmbëngulur se nuk kishte dijeni se kush i kishte futur në çantë. Nga ana tjetër, edhe personi me të cilin ajo po udhëtonte me tragetin e linjës Durrës – Bari, Bashkim Hasani, mohoi të kishte dijeni për drogën, e cila u gjet në dhomën që kishin rezervuar të dy në traget. Për këtë rast u arrestua edhe një punonjës policie i Portit të Durrësit, i cili u dyshua se kishte lejuar kalimin e heroinës.

TRAFIKU I HEROINËS

Në janar të vitit të kaluar, Policia sekuestroi në Portin e Durrësit një sasi prej 2.3 kg heroinë, që do të trafikohej në drejtim të Italisë. Policia tha në atë kohë se për të realizuar trafikun, e arrestuara, Laureta Lama, kishte marrë me vete edhe dy fëmijët. Ajo po udhëtonte së bashku me të dashurin në drejtim të Italisë, me tragetin e linjës Durrës – Bari. Bashkë me të, Policia arrestoi edhe 67-vjeçarin Bashkim Hasani.

Edhe pse kishte drogën në çantë, Lama i kaloi të gjitha kontrollet, duke arritur të hipte në traget. Por një informacion i marrë në rrugë operative ka bërë që shërbimet e Antidrogës dhe të Policisë Kufitare të futeshin në dhomën e tragetit, që ishte rezervuar nga çifti. Policia tha se destinacioni i drogës ishte Bolonja dhe se dy të arrestuarit ishin thjesht korrierë.

Në momentin e ndalimit, ata thanë se po shkonin për një vizitë te një e afërme e 39-vjeçares në Bolonja. Për këtë ngjarje, Policia shpalli në kërkim edhe një 30-vjeçar me inicialet E.Ç., nga Mëzezi i Tiranës. Sipas Policisë, nuk dihej se kush ishte pritësi i lëndës narkotike që po trafikohej me traget nga çifti që u arrestua.

Pas ndalimit të korrierëve në Portin e Durrësit, Policia ushtroi një kontroll edhe në banesën e shtetasit E.Ç., në Tiranë, ku gjeti një pistoletë tip “Glock”, ndërsa vetë i dyshuari kishte arritur të largohej para se të mbërrinte Policia.

Në lidhje me armën e gjetur në shtëpi, që ishte pa leje, u arrestua babai i tij, shtetasi Kujtim Çaushi. Pas zbulimit të këtij rasti trafiku, hetimet u ndoqën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

PANORAMA