Në familjen Marku, (gjyshi nga e ëma) janë hapur dyert e mortit, ku të afërmit e Marjusit presin ngushëllime për humbjen e 22-vjeçarit në mënyrë trragjike.

Daja i të riut, mes lotësh tha se Marjusi kishte vetëm 3 dite që ishte larguar nga Shijaku, kishte qëndruar për rreth 2 javë për pushimet e verës ku ka takuar të afërmit.

Marjusi njihej si një djalë i qeshur dhe shumë i dashur, nga të gjithë të afërmit. Ndërsa para se të largohej për në Itali, kishte puthur duart e gjyshit plot me dashuri, pasi gjyshi ishte pika e tij e dobët në Shqipëri.

Fatbardh Marku tha se dramat në familjen e Marjusit ishin mbyllur vetëm vitet e fundit, ku falë punës së madhe të dy prindërve të tij, kishin krijuar ndërmarrjen e tyre dhe kishin punësuar disa shqiptarë në Xhenova të Italisë.

Kushëriri i nënës së viktimës, tha se një natë të ftohtë dimri, Valdetja, bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët e mitur, u arratisën drejt Italisë nga porti I Vlorës me skaf.

Marjusi ishte larguar i vogël për në Itali por thellë në mendjen e tij kishte mbetur dashuria për qytetin e tij të vogël, gjyshërit, kushërinjtë e të afërmit të cilët i takonte me shumë dashuri sa herë kthehej për pushime.

Ai sapo kishte përfunduar shkollën dhe ishte punësuar në ndërmarrjen e ngritur prej prindërve të tij, e cila u krijua pasi nëna e babai me dy vogëlushët e tyre kishin qëndruar për plot 8 vjet pa dokumenta në Xhenova, dhe po kaq vjet larg prej të dashurve të tyre në Shqipëri.

Kur Valdetja dhe Gazi dhe dy fëmijët, u kthyen në Shijak pas 8 vitesh, largësia për një periudhë të tillë kishte shtuar më shumë dashurinë e Marjusit për gjyshërit, dajat që jetonin në qytetin e Shijakut.

Sot familja e dajave ka hapur dyert e mortit dhe të shumtë janë ata të cilët shprehin ngushëllimet dhe qajnë fatin e zi të emigrantëve nga Shijaku, fat i cili u vulos me shembjen e urës së Xhenovas, një ditë më parë.

K.H.