Dalin shifrat e para të përmbytjeve që nisën mbrëmjen e së enjtes dhe vijojnë ende. Sipas atyre që u raportuan në Komitetin e Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile  me pjesëmarrjen e ministrave dhe kryeministrit Edi Rama, raportohet se ka rreth 3193 banesa të përmbytura, 40 biznese, 7874 ha tokë e përmbytur si dhe 1594 persona të evakuuar. Sipas të njëjtave burime, prurjet në Vjosë janë 2200 metër kub për sekondë. Në hartën e përmbytjeve dhe problematikës është shtuar Korça dhe Përmeti.

“Shkolla të dëmtuara 49. Masat e marra në përgjithëse janë shtuar kapacitetet dhe operacionet. Në kërkim shpëtim dhe evakuim. Janë 34 forca nga Kosova në Fier. Sot kanë filluar edhe operacionet e rikuperimit, në rrethin e Krujës dhe Tiranës. Ka filluar dhënia e ndihmave. Ka filluar pastrimi dhe rikthimi në normalitet edhe në jug. Janë shtuar zërat ndërkombëtarë për të dhënë ndihmë. 6406 forca të përfshira, 1081 mjete. Jemi në fazën e dytë të procesit, të reagimit. Do të fillojë së shpejti likuidimi i pasojave për të kaluar tek faza e fundit, për zgjidhjen. Sot jemi në përfundim të fazës së dytë, që është reagimi emergjent”, bëri të ditur këshilltari i kryeministrit Rama.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prenci tha se janë dëmtuar në të gjithë vendin 13 ura dhe theksoi se prurjet e Vjosës janë më masive se në vitin 2015.

“E veçanta e kësaj situate është se kemi pasur një parashikim të saktë meteorologjik. Janë dëmtuar 13 ura në të gjithë territorin e RSH. Përmbytjet janë shtrirë kryesisht në Krujë, Durrës, Shijak, Sukth, Frakull, Levan që janë problematike për shkak të kapërcimit të argjinaturës, jo shkatërrim të argjinaturës si rezultat i prurjeve më masive se në 2015”, tha Prençi.