Nisin komentet e para për vendimin e sekretarit të shtetit Rex Tillerson sipas të cilit ish-kryeprokurorit të Shqipërisë Adriatik Llalla i ndalohet hyrja në SHBA. Jorgo Dhrami, me një karrierë 21-vjeçare në sistemin e prokurorisë, por edhe me disa detyra të tjera në drejtësi deri zëvendës i Avokat i Popullit, tha dje se Llalla kishte bërë një sërë gabimesh në raport me SHBA që arritën deri në këtë pikë.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Dhrami tha se së pari asnjë problem shtetëror e sidomos i prokurorisë nuk duhet të ishte bërë publik prej tij të çfarëdo përmase të ishte ai, por duhet të ishte zgjidhur brenda ligjeve dhe rregullave shtetërore.

Së dyti, bërja publike që sipas Llallës ambasadori Donald Lu kishte ndërhyrë për një çështje konkrete, por kjo e bërë pas deklaratës së ambasadorit, ishte thjesht një hakmarrje dhe nuk e nderoi Llallën. Nisur nga kjo SHBA si fillim deklaroi se kryeprokurori ishte bërë pengesë për reformën në drejtësi dhe më pas shkoi deri në një vendim ekstrem sa t'i ndalojë futjen në SHBA atij dhe familjes së tij. Sipas Dhramit kjo është një nga gjërat më të rënda që ka ndodhur në historinë e marrëdhënieve mes SHB dhe Shqipërisë.

“Nuk është çështja tek Adriatik Llalla personalisht por që SHBA i ka ndaluar hyrjen në shtetin e vet kryeprokurorit të vendit tonë. Kjo as është parë e as dëgjuar dhe është shumë e rëndë për Shqipërinë”, tha ai. Dhrami e lidhi këtë konkluzion edhe me faktin se është pikërisht SHBA ajo që u bë jo vetëm iniciatore por edhe garante e hartimit dhe e zbatimit të reformës në drejtësi. Pa SHBA-në kjo reformë nuk imagjinohej as të konceptohej e as të realizohej, prandaj ne duhet t'i jemi mirënjohëse SHBA për gjithçka. Shqipëria ndodhte në kushte të vështira, por falë Zotit kemi SHBA-bë dhe BE-në që nuk qëndrojnë duarkryq dhe jo të krijojmë probleme, mosmarrëveshje e deri në këtë pikë kur i ndalohet hyrja në atë shtet të prokurorit të Përgjithshëm”, shtoi Dhrami.

Lidhur me dorëheqjen e Llallës për të mos u bërë pjesë e gjykatës së Apelit Dhrami tha: Kjo nuk është dorëheqje sepse Llalla nuk ishte në detyrë, por është një shmangie nga vettingu.