Bulevardi “Dyrrah” ishte i pari investim në mandatin e dytë nga ana e kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili pasoi me rivitalizmin e sheshit  “Liria” në Durrës.

Bulevardi kryesor në Durrës, punimet e të cilit nisën në vitin 2011, është shkatërruar pothuajse plotësisht dhe është i bërë i pakalueshëm nga automjetet.

Me një gjatësi rreth 850 metra linear, projekti asokohe shkoi mbi 1.5 milionë euro investim, i ndarë në dy faza.

I ndërtuar mes shumë polemikave për shkak se projekti i tij ngushtonte gjerësinë e rrugës për qarkullimin e makinave (që më pas u mor si shembull për një numër tjetër rrugësh në Durrës), ky investim nuk rezulton si më i suksesshmi në infrastrukturën rrugore të Durrësit.

Kjo për shkak, jo vetëm të kostos shumë të lartë të ndërtimit dhe abuzimeve të kryera sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, por më shumë për modelin e keq që më pas u adoptua në shumë rrugë krysore të Durrësit, si atë të plazhit “Pavarësia” e më pas edhe me aksin “Aleksandër Goga” etj.

Aktualisht në këtë bulevard duhet vënë dorë urgjentisht, sepse kalldrëmi është prishur përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës prej 320 metra linearë, ndërsa në vend të gurëve të vegjël dekorativë me thellësi 10cm, janë shtuar gropat në rrugë.

Në kohën e ndërtimit, u tha se gurët e vegjël dekorativë ishin rezistentë ndaj qarkullimit të makinave. Por megjithase qarkullimi i mjeteve ka qenë i kufizuar, madje kohët e fundit shumë drejtues e shmangin këtë aks për shkak të degradimit, kalldrëmi është dëmtuar që në muajt e parë. Edhe pse i qe nënshtruar rikonstruksionit, bulevardi “Dyrrah”, u rikthyer sërish në të njëjtën gjendje, vetëm disa muaj pas rikonstruksionit. 

Madje makinat nuk kanë patur zë të “ulërinin” në këtë rrugë, sa herë që e përshkonin atë…

K.H.