Trinjakët 3-vjeçarë që humbën jetën tragjikisht dje në Romanat të Durrësit ishin karbonizuar tërësisht. Djegia në trupin e vogëlushëve të mitur kishte kaluar çdo shkallë, duke u mbërritur deri në kocka.

Ky është rezultati i dhimbshëm që ka dalë nga ekspertiza mjeko-ligjore, raporton “DurrësLajm”.

Sipas ekspertizës, mësohet se vdekja e trinjakëve ka ardhur si rezultat i karbonizmit të trupit.

Trupat e pajetë të vëllezërve 3-vjeçarë që u larguan nga kjo botë në mënyrë aq tragjike e tronditëse, u tërhoqën mbrëmë nga morgu nga ana e familjarëve për ceremoninë mortore.

Tragjedia e rëndë që tronditi Durrësin e mbarë opinionin publik, ndodhi dje pasdite rreth orës 17:30, kur në banesën e tre fëmijëve ra zjarri. Fëmijët kanë qenë vetëm në shtëpi duke luajtur me shkrepse, kur aksidentalisht i vunë zjarrin perdeve dhe më pas mori zjarr dhoma ku ata gjendeshin. Nëna e tyre, 30-vjeçarja Migena Konçi, i kishte kyçur të vegjlit brenda banesës, e bashkë me dy vajzat më të mëdha në moshë kishte shkuar te nëna e saj për vizitë.