Një tjetër dëshmitar është marrë në mbrojtje në lidhje me çështjen “Shullazi”. Sot ka dëshmuar dëshmitari Besnik Musai, shoferi i Ylvi Beqjas, i cili përpara togave të zeza ka deklaruar se është kërcënuar para dy ditësh për të mos dëshmuar.

Besnik Musai tha sot në sallën e gjyqit, se ishte dëshmitar në momentin kur u bë kontrata për dhurimin e “Vollgës” dhe se Beqja është kërcënuar nga Emiljano Shullazi.

Dy ditë më parë, dy persona kanë ardhur në shtëpinë time në Durrës dhe i kanë thënë nënës sime që nëse dëshmoja do ta kisha keq punën”, ka thënë dëshmitari.

Musai ka deklaruar gjithashtu se prej 5 vitesh ka qenë shofer i Ylvi Beqajt, i cili bashkëjetonte me motrën e tij.

Ylvi Beqaj më ka thënë që Shullazi i ka kërkuar para dhe në një rast, ai i ka dhënë Shullazit 80 mijë euro”, ka thënë Musai.

Dëshmitari ka deklaruar se ka qenë i pranishëm kur është firmosur kontrata mes Shullazit dhe Beqajt dhe pasi kanë dalë nga zyra e noteres,  i ka vënë pistoletën në bark Beqajt.