Mësohen detaje të reja nga grabitja e bujshme e materialeve në prokurorinë e Durrësit gjatë natës së të mërkurës. Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Opinion” se dyshohet se autorët që kanë kryer grabitjen janë të paktën 2.

Ata kanë hyrë nga një shkallë e jashtme nëpërmjet dritares së banjës janë futur në katin e dytë të selisë së Prokurorisë. Më pas janë ngjitur në katin e katërt të prokurorisë. Aty kanë thyer derën e zyrës së prokurorit Afrim Shehu.

Aty janë marrë disa dosje të punës së tij. Sipas Lalës, prokurori në fjalë ishte duke hetuar të paktën 3 çështje të mëdha. Ai kishte prej 3 vitesh në dorë çështjen e tjetërsimit të pronave në Ishëm. Ka pasur një goditje para disa muajsh.

Prokurori Afrim Shehu po hetonte edhe një çështje korrupsioni në hipoteka si një një tender disa miliona euro në portin e Durrësit për çështje korrupsioni. Pas zyrës së prokurorit Shehu është thyer zyra e një oficeri të policisë gjyqësore që bashkëpunin me prokurorin Afrim Shehu.

Më pas autorët kanë hyrë në zyrën e serverëve ku kanë marrë hard diskun e kamerave të sigurisë, por edhe memorien e prokurorisë së Durrësit ku arkivoheshin të dhëna nga dosjet që po hetohen si dokumente, përgjime, audio, video, etj.

Gazetarja Lala tha se ekziston një kasafortë në prokurorinë e Durrësit dhe ajo ndodhet në sekretarinë e Prokurorisë në katin e pestë. Ka edhe prokurorë që punojnë deri vonë dhe nuk i dorëzojnë dosjet e punës në sekretari. Edhe dera e serverëve nuk ka qenë e blinduar.

Ndërsa gazetari Robert Rakipllari tha se prokurori, zyra e të cilit është grabitur ka në dorë edhe një çështje shumë sensitive për pastrim parash. Çështjen e grabitjes po e heton prokurori Drini Pali, me mjaft eksperiencë.