Një ditë më parë është detyruar të devijojë rrugën avioni i “Blue Panorama” i nisur nga Bolonja me destinacion final Tiranën. Avioni bëri ulje emergjente për shkak të një situate alarmante lidhur me gjendjen shëndetësore të një pasagjeri në bord.

Vete Aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë e bëri të ditur lajmin, teksa njoftonte per mbërritjet në kohë reale në Tirana International Airport.

Por janë mediat italiane ato që kanë dhënë detaje lidhur me atë që ndodhi në bord. Ulja e emergjencës dje në Pescara u bë pasi një pasagjer 77-vjeçar u ndje keq. Ashtu si e parashikonte protokolli për raste të tilla, u ndez alarmi dhe u njoftua ulja emergjente e avionit.

Avionin e priste në pistë një ambulancë e njoftuar për urgjencën. Mjekët aty i dhanë ndihmën e para pasagjerit para se të bënin transferimin e tij në spital.

Ata folën për dyshime lidhur me një infarkt, por pa dhënë shumë detaje. Pak më pas, avioni u ngrit sërish nga Pescara për të marrë rrugën e lënë në mes drejt Tiranës.