Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në takim një delegacion nga Republika e Çekisë i kryesuar nga presidenti i senatit çek Milan Štěch. Anëtarë të këtij delegacioni ishin edhe senator Miroslav Nenutil, Anëtar i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe Kushtetuese, senator František Bradáč, anëtar i Komitetit për Ekonominë Kombëtare, Bujqësinë dhe Transportin, senator Zdeňka Hamousová, anëtar i Komitetit për Administratën Publike, Zhvillimin Rajonal dhe Mjedisin, senator Petr Holeček, anëtar i Komitetit për Ekonominë Kombëtare, Bujqësinë dhe Transportin, zv/ministri çek i tregtisë dhe industrisë, Vladimír Bärtl, kryetarja e akademisë së shkencave, Eva Zažímalová, zv/President i Konfederatës së Industrisë Stanislav Kázecký, ambasadori i Çekisë në Shqipëri Jaroslav Ludva etj.

Ky delegacion shoqërohej edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Riza Poda. Bashkangjitur këtij delegacioni ishin edhe një grup sipërmarrësish nga Çekia. Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako i bëri presidentit të senatit çek dhe delegacionit një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve.

Dako u ndal veçanërisht në sektorin e turizmit duke e njohur presidentin e senatit çek me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin, por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. 

Nga ana e tij presidenti i senatit çek Milan Štěch u shpreh mjaft i kënaqur me vizitën e tij në Durrës dhe fillimisht konfirmoi mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE. Më tej presidenti i senatit çek u shpreh se duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Çekisë dhe konkretisht edhe midis Durrësit dhe qyteteve çeke. 

Pas këtij takimi është zhvilluar edhe një aktivitet i zgjeruar në sallën e këshillit bashkiak ku delegacioni dhe biznesmenët çekë u njohën me gjithçka që ofron Durrësi në fushën ekonomike dhe turistike në sajë të prezantimit që i bëri Bashkia e Durrësit qytetit bregdetar. 

Më pas, gjatë prezantimit për të gjithë të pranishmit në sallë, u dha informacion lidhur me qytetin e Durrësit, si atraksion turistik, për turistët vendas dhe të huaj. Pas takimeve në Bashkinë e Durrësit delegacioni çek ka vizituar muzeun arkeologjik të qytetit dhe amfiteatrin e Durrësit.