Këshilltarët e PD-së dhe LSI-së bashkojnë votat në Durrës dhe rrëzojnë paketën fiskale 2018.

Pika e katërt e rendit të ditës, për sistemimin e taksave vendore solli mjaft debat në sallë.

Bashkia paraqiti para këshillit bashkiak për miratim VKM-në e qeverisë Rama për unifikimin e taksës së parurisë.

Vendimi i qeverisë thotë që kjo taksë të paguhet njësoj për m2 nga çdo banesë në të gjithë qarkun e Durrësit, si për ndërtesat e ngritura në 1950, ashtu edhe ato të bëra në vitin 2018.

Armand Teliti, kryetari i grupit të këshilltarëve të PD, e kundërshtoi këtë taksë, pasi ajo rëndon buxhetin e të gjitha familjeve, por veçanërisht atyre të zonave rurale.

Teliti tha se PD është kundër kësaj takse duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si mashtrues. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe LSI, që propozoi që të ulej me 30% taksa e pasurisë dhe të rishikohen taksat për ndërtimet para vitit 1995, me arsyetimin se një shtëpi e ndërtuar në vitin 1970, më herët apo më pas, nuk mund të paguajë sa një pallat i ndërtuar në 2018.

Kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga këshilli bashkiak, ndëkohë që u hodh në votim.

Pas numërimit të votave rezultoi se 23 këshilltarë votuan pro dhe 16 kundër, por projektvendimi kërkonte 26 vota pro duke bërë që taksa të hidhet sërish për votim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak Durrës.

Kryebashkiaku Vangjush Dako, në fund të mbledhjes, tha se me aplikimin e kësaj takse të re, buxhetit të bashkisë i mungojnë 1.5 milionë euro, sepse nga kjo taksë favorizon shumë biznesin, por edhe një target grup familjesh.

“Do ta diskutoj me anëtarët e Këshillit Bashkiak, në mënyrë që të marr konsensusin për miratim rradhën e ardhshme”, tha Dako për DurrësLajm.

Shumë debate pati edhe për infrastrukturën rrugore në Durrës, ndërsa jemi në prag të sezonit turistik, si dhe për kanalizimet e bllokuara. Sipas këshilltarëve të opozitës, ka mungesë transparence në akordimin e fondeve publike.

K.H.