Është konsideruar si dallëndyshja e parë e arsimit jo publik në Durrës. Bëhet fjalë për shkollën “Mihal Ekonomi”, e cila mban emrin e një prej profesorëve të nderuar të letërsisë e gjuhës shqipe në qytetin e Durrësit, i cili u nda nga jeta papritur në fillim të vitit 1990.  

Në përvjetorin jubile, shkolla “Mihal Ekonomi” numëron 180 nxënës.

Salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” ishte mbushur plot e përplot me prindër, mësues e fëmijë, të cilët kanë festuar 15-vjetorin e shkollës së tyre.  

Ky institucion arsimor, i konsideruar elitë në qytetin e Durrësit, me një performancë të shkëlqyer në përgatitjen e nxënësve dhe në rezultatet e tyre zhvilloi një seri aktivitetesh në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Në qendër të aktiviteteve ishin nxënësit e shkollës, të cilët ekspozuan punimet e tyre në pikturë dhe mbajtën një koncert për mësuesit dhe prindërit e tyre.

Drejtoresha e shkollës, Elsa Ekonomi, tha se institicioni arsimor që ajo drejton e nisi aktivitetin e tij si shkolla e parë e mesme jopublike e qytetit të Durrësit me 11 korrik të vitit 2002.

Pas një viti, u hapën edhe klasat e arsimit 8-vjeçar (sot 9-vjeçar) duke u bërë pjesë e pandarë e shkollës shqiptare. Të njohësh jetën e një shkolle mjaftojnë pak vite. Shpirti njerëzor, mendimi bashkëkohor, përkujdesja, synimet e qarta u bënë themelet e shkollës jopublike “Mihal Ekonomi”.

Nxënësit kishin përgatitur një shfaqje ku nuk munguan këngët, vallet recitimet etj.

Kush ishte Mihal Ekonomi?

Mihal Ekonomi deri në moshën 55- vjeçare punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe historisë në Durrës.

Mihal Ekonomi ndërroi jetë më 24 dhjetor 1990, i mbushur emocionalisht, në ditët e para të demokracisë pa e shijuar atë, duke lënë pas mirënjohjen e shumë brezave që ai mësoi. Më 5 shtator 2011, Bashkia Durrës i dha titullin: MIRENJOHJA E QYTETIT (pas vdekjes) me motivacionin: “Mësuesit të dashur e pasionant të brezave të tërë, që falë forcës së karakterit, pjekurisë intelektuale dhe vullnetit  këmbëngulës të tij, u kthye në simbol të atdhedashurisë, dijetarit dhe përçuesit më të shënjuar të vlerave njerëzore e shpirtërore”.

K.H.