Konsumatorët durrsakë edhe këtë radhë ashtu si në të gjithë vendin e "pësuan" nga kompania e karburanteve "Gulf" e cila në mënyrë krejt të papritur ka shpallur falimentimin.

Ka mjaft irritim, tension e në fund pafuqi tek konsumatori durrsak, i cili prej javësh kishte blerë tollona karburanti për mjetet me para në dorë, apo kishte kartë abonimi tek kompnia “Gulf” për të përfituar nga oferat që bënte kjo kompani.

Prej tre ditësh pa asnjë lajmërim, pikave të karburanteve që mbanin logon “Gulf” në Durrës iu është vënë shiriti ndërsa punonjësit thanë se nuk ka më karburant.

Ata që kishin blerë tollona të parapaguar ju mbetën në xhep, ndërsa nuk kanë as ku të ankohen e as ku të kërkojnë të drejtën e tyre.

Shembulli tipik ku konsumatori mbeti i “zhveshur” nga çdo e drejtë e tij. Një pike në unazën e Kënetës dhe tjetra në hyrje të Durrësit, kanë qenë në pronësi të “Gulfit”. Prej së mërkurës këtu vërshuan klientët por u kthyen mbrapsht sepse nuk u dha asnjë shërbim.

Në Durrës punonjësit që qëndrojnë aty, jashtë kameras tregojnë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur. Ata thonë se nuk është bërë funzimi me naftë e nuk ka më as gjendje. “Askush nuk na ka thënë asgjë, vetëm që naftë nuk ka ardhur”, thonë ata. Ndërkohë që të shumtë janë ata me karta abonimi dhe tollona që janë interesuar por janë larguar të zhgënjyer.

Sipas “Monitor” këto dy pika në Durrës janë blerë nga kompania "Alpet". Nuk dihet nëse kjo kompani ka  blerë edhe "borxhet e Gulfit".

Mbetet e paqartë sesa është sasia e karburantit që është shitur përmes tollonave dhe sesi do të veprohet me to. Referuar burimeve nga tregu kompania ka pasur një shitje masive të kësaj natyre sidomos gjatë javëve të fundit.

Pronarët e "Gulf offshore", si u tkurr xhirroja e kompanisë

Kompania “Gulf” është pjesë e “Sun Petroleum Albania” regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit në shtator 2013 në pronësi të shtetasit izraelit, Dory Grossman. Në shkurt 2014 ky i fundit ka shitur aksionet për 100 mijë lekë tek një kompani offshore, Universal Energy Group që është akoma e sot aksionerja e vetme. Kompania e shumicës është regjistruar si Sun Petroleum Albania Trading në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 01.10.2013. Edhe në këtë rast aksioner i saj i vetëm deri në  2015 ka qenë izraeliti, Dory Grossman i cili më pas ka kaluar aksionet tek Universal Energy Group për një vlerë 4 milionë lekë.

Ecuria e treguesve financiarë për vitin 2017 për  Sun Petroleum Albania Trading nuk mund të jepet qartë për aq kohë sa nuk ka një bilanc të publikuar por referuar dy viteve paraardhës xhiroja e saj është tkurrur. Në vitin 2015 ajo regjistroi një xhiro 3.2 miliardë lekë kurse  në 2016 zbriti në 2 miliardë lekë, një rënie 38 për qind e xhiros.

Pakica nga ana tjetër për vitin 2015 ka regjistruar një xhiro 4.8 miliardë lekë, kurse në 2016 3.2 miliardë me një rënie 34 për qind.