Gjatë të gjithë ditës së sotme deri në orën 22.00 të mbrëmjes së të hënës autostrada Tiranë-Durrës qëndron e mbyllur në segmentin Shkozet-Durrës, pasi po realizohet faza e katërt e punimeve që kanë nisur para dy javëve.

Bllokimi i qarkullimit ka nisur që në orën 06.00. Siç duket qartë nga pamjet e filmuara nga operatori i DurrësLajm, qarkullimi i automjeteve është devijuar në mbikalimin e Shkozetit në drejtim të rrugës së unazës së Shkozetit.

Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Shkozet – Durrës do të fillojë ndërhyrja në drejtimin Durrës – Tiranë, për të cilat ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të përditësojnë gjatë ditës së sotme skemat e lëvizjes dhe do informojnë opinionin publik.

Punimet në autostradë kanë nisur para dy javësh, ndërsa punohet vetëm gjatë ditëve të javës, pasi në fundjavë është hapur për shkak të fluksit të lëvizjes së qytetarëve në drejtim të Durrësit për shkak të sezonit turistik.