“Në normalitet, pas një krimi prokurori shkon në vendangjarje. Në anormalitet pas një krimi, vendngjarja shkon tek prokurori. Kjo ka ndodhur në prokurorinë e Durrësit mbrëmjen e kaluar, kur grabitësit për disa orë janë bërë prokurorët e natës në institucionin e akuzës. Ata kanë hyrë të qetë në zyrën e një prokurori, të një oficeri të policisë gjyqësore dhe në zyrat e serverit qëndror dhe kanë marrë prej andej çfarë ata dëshironin”, raporton TCH.

Ata janë ngjitur përmes kabinës elektrike, duke hyre në dritaren më të afërt të një tualeti. Por grabitja e dokumenteve hetimore për herë të dytë të prokurorisë ka qenë e paralajmëruar.

Në datën 15 maj orën 22:00 , tre fëmijë të mitur kanë tentuar të thyejnë llambën ndriçuese ngjitur me prokurorinë e Durrësit. Për këtë ngjarje banoret kanë njoftuar policinë, por autorët janë larguar në drejtim të paditur.

Shtylla e ndriçimit është fare pranë kabinës elektrike. Dëshmitari Elvin Kurti tregon: “Unë isha në zyrë, dëgjova zhurmë dhe dola, pashë një person me kapele që po tentonte të thyente ndriçuesit. Njoftova policinë”, thotë ai.

Fakti që brenda dy javëve kanë ndodhur tre episode sulmi ndaj prokurorisë ka shumë gjasa t’i lidhë këto krime me njëra-tjetrën. E ndërsa ato ishin në zhvillim e sipër, prokuroria dhe policia ishin në gjumë sikurse këtë të mërkurë./ Top Channel