Sinoptikanët parashikojnë që i nxehti afrikan që ka përfshirë një pjesë të Europës, nuk do të kursejë edhe vendin tonë përgjatë fundjavës.

“Një pjesë e mirë e Europës është përfshirë prej 3-4 ditësh nga i nxehti afrikan. Megjithatë territori shqiptar e ndjen kryesisht të shtunën dhe të dielën. Pjesa më e madhe e Shqipërisë do të shënojë temperatura nga 33 deri në 38 gradë Celsius. Megjithatë, në zona specifike si Shkodra, Elbasani, Fieri e Berati, por edhe Gjirokastra, pritet të shënojnë deri në 38 gradë Celsius”, thotë Tanja Porja.

Por e hëna do të sjellë një tjetër kthesë të motit, pasi pritet që temperaturat të pësojnë rënie me afro 8 gradë.

“90 % e territorit shqiptar do të preket nga shirat, kjo do të bëjë që edhe temperaturat të bien në mënyrë të ndjeshme. Kjo situatë mbetet prezente deri të mërkurën, ndërkohë që pjesa e dytë e javës që vjen, parashikohet të jetë me mot kryesisht të kthjellët”, deklaron Porja.

Deri në fund të tij, korriku parashikohet të rezervojë temperatura 3 deri në 4 gradë mbi mesataren shumëvjeçare të tij. Disa herë do të kemi të pranishme edhe reshjet  e shiut, që do të jenë afatshkurtra.