Drejtoria e Përgjithshme Detare ka reaguar pas incidentit të ndodhur në terminalin e pasagjerëve në portin e Durrësit, me tragetin GNV, ku udhëtarët janë përplasur me rojet e sigurisë pas disa orësh pritjeje pa marrë një përgjigje lidhur me arsyet e vonesës.

Në një reagim për mediat, Drejtoria e Përgjithshme Detare deklaron se shkak i vonesës është bërë një defekt në kondicionerët e tragetit, dhe ndaj kapiteneria nuk ka lejuar tragetin që të marrë pasagjerët.

REAGIMI I PLOTË

Si rezultat i fluksit të madh të hyrjeve dhe rrugëve ekspres dy herë në ditë që bëjnë tragetet me datë 09.08.2018 trageti GNV ka pësuar defekt në kondicionerët e tragetit dhe kapiteneria nuk ka lejuar tragetin që të marrë pasagjerët. Si rezultat i kësaj vonese edhe në dy ditët ne vazhdim është krijuar vonesa nga ky traget. Më datë 11.08.2018 trageti ka ardhur me vonesë nga Bari me 3 orë dhe për të mos vonuar pasagjeret është kërkuar që të behet imbarkimi, por me rregull.

Fluksi në hyrje të tragetit ka qenë i madh dhe pasagjerët kanë tentuar të shtyjnë forcat e sigurisë të tragetit dhe të hyjnë forcërisht në traget. Pasi janë ndaluar nga siguria e tragetit, ata janë qëlluar nga pasagjerët dhe ka ndodhur një konflikt.

Për këtë ngjarje kapiteneria e Portit Durres ka kërkuar shkarkimin e personit të sigurisë për sjellje të dhunshme dhe është bërë në moment nga kapiteni tragetit. Gjithashtu agjencisë GNV i është tërhequr vëmendja për sjelljen e personelit ndaj pasagjerëve, dhe po monitorohen ekuipazhi i të gjitha trageteve për sjelljet ndaj pasagjerëve dhe nuk do të tolerohet asnjë rast i tillë.

Sot komiteti i sigurisë portit po bën analizën e ngjarjes për të përcaktuar veprimet e forcave të rendit dhe atyre të sigurisë portit, të cilat kane ndërhyrë më vonesë dhe nuk kanë bllokuar autorët e ngjarjes dhe për të përcaktuar detyrat për secilin institucion.

Ju bëjmë thirrje pasagjereve se për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm do ketë edhe vonesa dhe defekte, prandaj të ruajnë qetësinë dhe rregullin në terminal dhe në port.