Shërbimet publike dhe infrastruktura rrugore do të marrin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të bashkisë së Durrësit për vitin 2018. Në hartimin e projekt-buxhetit, i cili u kalua pak ditë më parë në Këshillin Bashkiak, bashkia ka menduar të akordojë plot 28% të vlerës së përgjithshme prej 48 miliard lekësh në drejtim të shërbimeve publike dhe infrastrukturës rrugore.

Disa shkolla, kopshte dhe çerdhe janë planifikuar të restaurohen, ndërkohë që pjesën më të madhe të 28% të shumës së buxhetit e zënë investimet në infrastrukturën rrugore dhe sheshet publike.

Disa prej investimeve kryesore dhe më të mëdha në Durrës janë:

1- Rikostruksion i sheshit publik para portit, faza 2 të dhe rikostruksion i sheshit publik para hyrjes së portit, faza 3;

2 – Rikualifikimi i hapësirave tek Muzeu i Dëshmorëve;

3 – Rehabilitimi i zonës së nënkalimit nga rrethrrotullimi i plepave deri në kryqëzimin e Shkallnurit;

4 – Rikonstruksion i rrugës "Ibrahim Buzhiqi";

5 – Rikonstruksion i rrugës "Ksanthipi Syko";

6 – Rikonstruksion i rrugës “Kont Urani”;

7 – Realizim mbikalimi në zonën kënetë pranë Universitetit,

8 – Rikonstruksion i rrugëve “Sirius” në Plazh, “Gjeneral Tentini”, “Tahir Beshiri”, “David Selenica”, "Tre vëllezërit Thanasi", "E ardhmja e kombit".

9 – Studim projektimi i shëtitores Taulantia, si dhe studim projektimi i shëtitores tek Shkëmbi Kavajës.

10 – Rehabilitimi i kanalit të madh kullues i ujërave të larta.

Sakaq, krahas rikonstruksionit në disa shkolla, dy institucione të dijes siç është shkolla 9-vjecare në Perlat dhe ajo në Qerret do të ndërtohen nga fillimi. Bashkia ka menduar të rikonstruktojë edhe një pjesë të fasadave të pallateve në qytetin e Durrësit.

K.H.