Disa ditë më parë, Policia gjermane finalizoi një operacion të gjerë antidrogë, pas një hetimi të cilësuar si më të suksesshmin në historinë e zyrës bavareze të krimeve.

Të paktën kështu u shpreh shefi i kësaj zyre, Robert Heimberger, gjatë një konference që u mbajt të mërkurën, pasi u zbulua një magazinë bananesh, brenda të cilave ishte fshehur një sasi kokainë me vlerë tregu prej rreth 400 milionë lekësh. Gjatë kohës së hetimit, rreth 500 policë dhe zyrtarë doganorë ishin përfshirë në mbarë Gjermaninë, derisa u zbulua i gjithë rrjeti.

Në qendër të hetimit ishte grupi i 8 hetuesve në Mynih. Drejtori policor për krimet, Jorg Beyser, përshkruan se si hetuesit ranë në gjurmët e trafikantëve të drogës. Sipas tij, hetimi nisi vjeshtën e vitit të kaluar, me dy ngjarje që në pamje të parë dukeshin sikur nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën.

Në një sallë jofunksionale u zbuluan qindra-mijëra banane. Më vonë, nga data 22- 23 shtator 2017, punonjësit e 10 marketeve të qytetit Rewe, në juglindje të Bavarisë, u shtangën teksa hapnin kutitë e bananeve. Mes frutave u gjetën edhe kokainë, në pako një kilogramëshe, e menjëherë u njoftua Policia.

Pakot e kokainës ishin fshehur në kutitë e bananeve në Ekuador dhe kishin mbërritur me anije në portin e Hamburgut. Prej andej, kutitë e bananeve ishin transportuar kudo në Gjermani me kamionë. Në Hamburg dhe Hanover, në fund të prillit forcat speciale arrestuan 9 të dyshuar, e pak më vonë edhe 3 të tjerë, shumica shqiptarë. Atyre iu sekuestruan 180 kg kokainë, 30 mijë euro dhe dy armë. Në përfundim të operacionit u arrestuan 21 persona, 13 prej të cilëve shtetas shqiptarë, që kishin rolin kryesor në rrjetin e trafikut të kokainës.

SHQIPTARËT

Në dosjen e hetuesve gjermanë, ndër shumë prova të siguruara për implikimin e 13 shqiptarëve dhe 3 bashkëpunëtorëve të tyre, shtetas të huaj, Policia bavareze thotë se dispononin edhe gjurmë AND-je, në provat e sekuestruara gjatë operacionit. Sipas hetuesve, disa nga 13 shqiptarët e arrestuar udhëtonin nga Shqipëria për të tërhequr drogën nga magazinat e kompanisë që ndodhet në Hamburg e më pas ktheheshin përsëri në Shqipëri për të mos u identifikuar nga Policia.

Dy prej të arrestuarve mësohet se kanë marrë nga magazinat rreth 180 kg kokainë, duke e ngarkuar në një automjet “Opel Vivaro”. Kjo makinë drejtohej nga Mevlan Beca dhe Granit Bajrami.

Gjatë hetimeve është dokumentuar përfshirja e shtetasve Emiljan Hysenaj, Dashamir Ndoj, një tjetër shqiptar me mbiemrin Dauti, Dario Lame, Agim Zeka, Marjan Tola, Mevlan Beca, Granit Bajrami dhe persona të tjerë deri tani të paidentifikuar, në trafikimin e një ngarkese nga Ekuadori.

Një nga të dyshuarit, Dario Lame, mendohet se kishte rolin e magazinierit. Ai vinte në dispozicion banesën e tij në Bargteheider të Hamburgut për takime konspirative të anëtarëve të bandës.

Ndërsa shtetasi Dashamir Ndoj banonte në këtë banesë edhe me të akuzuarit Dauti dhe Emiljan Hysenaj, të cilët kanë udhëtuar drejt Gjermanisë për nxjerrjen e kokainës nga magazinat e gomave. I arrestuari Agim Zeka kishte një rol parësor, pasi ishte i punësuar në kompaninë që ndodhet në Hamburg e për këtë arsye ai kishte akses në sistemin e hyrjes dhe daljes së mallrave.

1.Orneo Margjeka

2. Emiljan Hysenaj

3. Dashamir Ndoj

4. Dario Lame

5. Ervin Llusha

6. Izmir Lami

7. Dolan Kocani

8. Agim Zeka

9. Marjan Tola

10. Mevlan Beca

11. Granit Bajrami

12. Artan Mehmeti

13. Blerim Cakraj

/PANORAMA/