Në kuadër të bashkëpunimit me NATO-n, Komandanti i Forcave Detare të NATO-s (MARCOM) nën admirali Clive CC Johnstone po zhvillon vizitë zyrtare në vendin tonë. Ai u prit sot nga Komandanti dhe shtabi në Komandën e Forcës Detare.

Në këtë takim komandanti i Forcës gjeneral major Ylber Dogjani shprehu falenderime për mbështetjen që Komanda Detare e NATO-s ka dhënë për Forcën Detare Shqiptare, veçanërisht gjatë qëndrimit në mision në detin Egje. Ai e njohu nën admiralin Johnstone me gjendjen aktuale të Forcës, arritjet por edhe sfidat me të cilat përballet.

Ndër të tjera gjeneral Dogjani shtoi "Në jemi të qartë se ku jemi dhe ku duam të vemi. Ne shpresojmë dhe po punojmë që Forca Detare në të ardhmen të ketë kapacitetet luftarake të planifikuara". Ai theksoi se po përparohet në lidhje me objektivat që Forca Detare ka për sa i përket situatës detare, shkëmbimit të informacionit apo rritjes së ndërveprueshmërisë me aleatët, gjithashtu vlerësoi operacionin në detin Egje si një nga eksperiencat më të vyera për efektivat tanë.

Nga ana e tij nën admirali Johnstone shprehu interes veçanërisht mbi sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet Forca Detare Shqiptare dhe shprehu mbështetjen e tij për çdo gjë që mund të jetë e dobishme. Për sa i përket shërbimit në operacionin “Sea Guardian” në detin Egje nënadmirali tha se prania e anijes shqiptare atje, ndihmoi të balancohej prania e forcave në det dhe shprehu falenderim për këtë.

Ajo që dua të theksoj tha ai është: "Jam i surprizuar nga kapaciteti që demonstrojnë efektivat tuaj, janë staf shumë i zoti, keni oficerë shumë cilësorë dhe faleminderit për këtë."

Nënadmirali u njoh gjithashtu me strukturën dhe kapacitet që ka Forca Detare dhe më pas zhvilloi vizitë në një nga anijet e klasit Iliria. Më tej ai u njoh me vlerat kulturore e turistike të Durrësit ku pati rastin të vizitojë muzeun arkeologjik dhe amfiteatrin e këtij qyteti.