Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli është shkarkuar nga organet e Vettingut. Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, pas seancës dëgjimore ka vendosur shkarkimin e tij nga detyra.

Artan Zeneli kandidoi më herët për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Nga koha kur iu rikthye sistemit të drejtësisë, deri sa doli para Vetting-ut, Artan Zeneli, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, ka shtuar gati dyfish pasurinë e tij.

Në 10 vite ai ka siguruar pothuajse 50 milionë lekë të reja pasuri, të cilat në deklarimet e tij shpjegon se i ka siguruar nga paga e bashkëshortes, pjesën më të madhe, të ardhurat si gjyqtar dhe të ardhura nga qiratë.

Zeneli doli një ditë më parë para Vettingut, gjatë të cilit doli në pah një problem me deklarimet, për mënyrën se si anëtari i Gjykatës së Lartë ka blerë një vile disa katëshe në një zonë rezidenciale tepër të njohur në Tiranë.

Zeneli ishte në listën e zezë të Ambasadës Amerikane për personat që iu hiqet e drejta që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 26 janar të vitit 2017 atij iu revokua viza për të udhëtuar në SHBA. Para Vettingut, Zeneli shpjegoi se bëhej fjalë për vizën private dhe jo atë zyrtare.