Ismail Morina nuk do të ekstradohet drejt Serbisë. Ministri kroat i Drejtësisë, Drazhen Boshnjakoviç, firmosi urdhrin që tifozi shqiptar i njohur me pseudonimin “Ballisti” të mos u dorëzohet autoriteteve serbe. Morina do të kthehet në Itali, pranë familjes.

Ismail Morina u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Kroaci teksa po kthehej për në Shqipëri, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Akuza që rëndon ndaj tij është nxitje e urrejtjes kombëtare, pas ngritjes së dronit me flamurin e Shqipërisë Etnike në stadiumin e Beogradit në tetor të vitit 2014, gjatë ndeshjes së futbollit Serbi –Shqipëri.

Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë në Kroaci kishte vendosur 2 herë pro ekstradimit të Ismail Morinës në Serbi, por vendimi u rrëzua në Gjykatën e Lartë. Prej muajsh, familjarët e Ballistit dhe përfaqësuesit ligjorë të tij kërkuan azil politik në Kroaci, me qëllim bllokimin e procedurave për ekstradimin drejt Serbisë.