Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, ku fillimisht është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Drejtori Maxhuni fillimisht falënderoi homologun e tij Veliu për vizitën dhe e uroi për detyrën e re në krye të Policisë së Shtetit.

Maxhuni i njohu të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saj ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.

“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu falënderoi Maxhunin për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht vlerësoi lart punën e Policisë së Kosovës e në veçanti bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy policive, i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta policore.

Maxhuni e Veliu konfirmuan vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë edhe në të ardhmen në fusha të ndryshme me interes të përbashkët policor, shkëmbimin e përvojave policore përmes zyrtarëve policorë, trajnimet në fusha të ndryshme me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta, në parandalimin dhe luftën e krimit duke përfshirë atë trans kufitar, si dhe lehtësimin e kalimit kufitar.