Versioni i gazetarit Jetmir Olldashi hedh poshtë si të rremë versionin e “Dëshmitarit X”, Albert Veliu, i njohur si ‘Babalja’, për audiopërgjimin e kthyer në kauzë nga Partia Demokratike, e cila pretendon se implikon vëllain e ministrit të Brendshëm në trafik droge.

Edhe pse gazetari Olldashi dhe ‘Babalja’ pretendojnë se kanë mundësuar së bashku përgjimin, ata japin versione krejtësisht të ndryshme si për përgjimin, objektin e përgjimit, arsyet, rrethanat si dhe për kontaktin me Partinë Demokratike.

Si Olldashi, ashtu edhe ‘Babalja’, në rrëfimet e tyre thonë disa gënjeshtra, të cilat duke u ballafaquar me njëra-tjetrën, prodhojnë një pikëpyetje të madhe mbi kauzën e Partisë Demokratike për çështjen e vëllezërve ‘Xhafaj’.

Nuk dihet se cili gënjen më shumë dhe cili më pak, por pas rrëfimit të gazetarit, shtohen më tej dyshimet e arsyeshme për një inskenim, raporton sot "Report tv". Po cilat janë përplasjet më të rëndësishme të dy rrëfimeve dhe kush janë pikat e errëta të gazetarit Jetmir Olldashi?  

Kontradiktat mes rrëfimit të Olldashi dhe Albert Veliut
1- Gazetari Olldashi u shpreh dje se ishte ai që i kishte dhënë pajisjet përgjuese Albert Veliut, në mënyrë që ky i fundit të përgjonte Agron Xhafën, vëllain e ministrit të Brendshëm. Nga ana tjetër, Veliu thotë se nuk e ka përgjuar ai Agron Xhafajn, por e kanë përgjuar të tjerë. Nëse ‘Babalja’ nuk e ka përgjuar sipas direktivave të Olldashit, kush tjetër mund ta këtë kryer përgjimin?  

2- Kontradikta e dytë ka të bëjë me raportin me PD. Në rrëfimin e tij, “Babalja” thotë se ishte ai që ia kishte dorëzuar përgjimin PD-së, ndërkohë që Olldashi pohoi të kundërtën, pra se në fakt ishte ai vetë që ia kishte dorëzuar materialin partisë kryesore të opozitës si dhe kishte kërkuar mbrojtje prej saj. Cili ia ka dërguar materialin PD-së dhe cila është arsyeja e vërtetë?

3- Ndërkohë që gazetari Jetmir Olldashi thotë se ka pajisur Albert Veliun me pajisje përgjimi në çdo takim që ka zhvilluar me Agron Xhafajn, Albert Veliu thotë se ishte befasuar kur kishte parë publikimin e audiopërgjimit, me pretendimin se nuk ishte në dijeni të përgjimit.

4- Jetmir Olldashi thotë se Albert Veliu shkoi te lokali i Agron Xhafajt dhe nuk e gjeti aty. Sipas tij, ata kanë lënë një tjetër takim, por për takimin e dytë, Jetmir Olldashi nuk di asgjë. Si ka mundësi që gazetari Olldashi nuk shkoi pas burimit, për të parë dhe fotografuar takimin mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, meqenëse ky investigim ishte kaq i rëndësishëm?

5- Olldashi pohoi gjithashtu se këtë përgjim e kishte kryer në kuadër të një investigimi gazetaresk, por ai nuk e kishte publikuar investigimin në fjalë, edhe pse vetë punonte në një televizion informativ dhe gjithashtu drejton një portal informativ lajmesh, çka ngre disa dyshime, se për kë e kishte kryer në të vërtetë gazetari përgjimin.

6- Si Olldashi, ashtu edhe Albert Veliu, thonë se përgjimi është bërë 4 muaj më parë. Pse Olldashi priti 4 muaj për publikimin e materialit?

7- Gazetari Olldashi thotë se ka materiale të tjera, që do t’i publikojë në një emision tjetër televiziv. Natyrshëm lind pyetja pse edhe audiopërgjimin e parë nuk e publikoi në emisionin e dytë televiziv apo në portalin e lajmeve, por ia dha PD-së?

8- Olldashi thotë se duke patur parasysh se flitej për vëllanë e ministrit të Brendshëm në detyrë, vlerësoi se siguria fizike e burimit të tij dhe e atij vetë ishte në rrezik. Kur u bë i vetëdijshëm Olldashi për rrezikun? A nuk e dinte edhe më parë se flitej për vëllanë e ministrit të Brendshëm?

9- Meqë i është rrezikuar jeta, sa kohë priti nga periudha e realizimit të regjistrimit, për të kërkuar mbrojtje politike nga PD?

10- Olldashi pranon një tjetër fakt të rëndë pasi ai tregon se ka marrë pjesë drejtpërdrejt bashkë me Albert Veliun në një blerje prej 20 kg marijuanë që Veliu duhej ta trafikonte në Itali nëpërmjet Agron Xhafajt. Gazetari nuk shpjegon se kush ia shiti drogën dhe ku përfundoi ajo. Blerja e 20 kg marijuanës që në tregun e trafikut vlen mbi 20 mijë euro e pranoi publikisht edhe Albert Veliu i cili tha se lekët i kishte marrë borxh.

Momenti kur Veliu tha se nuk e ka bërë ai përgjimin/ Intervista:

-Në këtë aventurën tënde që thua se e provove e bëre, ke bërë filmime të tjera?
-Veliu:
Filmime të tjera unë s’kam bërë, filmime të tjera. Filmimet i ka bërë vetë Agroni, nuk i kam bërë unë dhe aty janë.

-Si i ka bërë?
Veliu:
Po ku di gjë unë si i ka bërë, me dashje, pa dashje, i di Agroni, jo unë.

-Po ti thua që Agroni ka përgjuar veten?
Veliu:
Po normale, ku di unë ça i është vënë Agronit dhe akuzon Andonin në anën tjetër. Ato të gjitha janë gjëra që janë fakte reale, si zëri që ne kemi folur. Gjithmonë e ha një fukara, nuk e ha një i pasur.

-Po ti vetë kur e kujtove bisedën, kur pe këto video përgjimet e kujtove bisedën?
Veliu:
Po normale. Kur unë e pash te djali, te lokali të gjitha këto foljet që u bënë, doli. Të gjitha thëniet që ne kemi bërë, thashë çne këto përgjime ne?!

-Domethënë, ti mendon që Agronin e kanë përgjuar të tjerët?
-Veliu:
Normale unë s’kam lidhje.

-Nuk e ke përgjuar ti?
-Veliu:
Secili ka mbrojtjen e tij ore. Ai tijën, unë timen, po nga ka ardhur kjo, e gjen Agroni, këto përgjime. Këto janë gjërat që po të them unë. 

/Shqiptarja.com/