Duket se pati një nxitim politik për t’u mbledhur sot në orën 19:00 në një proces që do t’i hapte rrugë procedurave që çojnë në heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. 

Megjithatë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka vendosur përfundimisht që kjo mbledhje të mbahet nesër në orën 11:00. 

Ndërkohë, Tahiri ka konfirmuar që mbrëmjen e djeshme, praninë e tij në studion e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Por mesditën e sotme, pas kërkesës së prokurorisë drejtuar Kuvendit për heqjen e mandatit të Tahirit kishte nga ata që e vunë në dyshim prezencën e këtij të fundit në studiot e TV Klan e ndoshta edhe të tjerë që do të donin që kjo të mos ndodhte. 

Nga sinjalet që vijnë, kuptohet se ka shumë ankth për ato që Tahiri pritet të thotë sot dhe njëkohësisht një ngut të madh për t’i hequr imunitetin. 

Pikëpyetjet mbi përfshirjen e Tahirit në trafikun ndërkombëtar ta narkotikëve, pas kërkesës së Prokurorisë, jo vetëm që nuk u shuan, por u shtuan edhe më tej. Nga ana tjetër, as deklarata e Ballës, as statusi i Ramës dhe as takimi i këtij të fundit me ministrin Xhafa duket se nuk arritën të japin një përgjigje për fatin e Saimir Tahirit. 

Ndërkohë mesditën e sotme, kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se Tahiri posedon materiale filmike që implikojnë edhe Kryeministrin Rama, ndërsa mediat kanë shkruar për arrestime të mundshme edhe në krerë të lartë të policisë, pa përjashtuar emrin e Haki Çakos. 

Derisa gjithçka të vërtetohet mbetet të presim, ndërsa duket se ikja e Tahirit (nëse ndodh) do të tërheqë edhe të tjerë pas… /Opinion.al