Rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës kanë në përbërje të tyre edhe shqiptarë.

Por një nga personazhet kryesore të trafikut të kokainës në Amerikën Latine dhe më gjerë, Dritan Rexhepi, me origjinë nga Vlora, ndodhet në burg në Ekuador.

Detajet i ka dhënë gazetari Artan Hoxha në emisionin “Kapital”  ku ka folur për kriminelët shqiptarë.

Ai ka risjellë në vëmendje Dritan Rexhepin, i cili është cilësuar si mbreti i arratisjeve dhe që së fundmi është kapur në Ekuador me 278 kg kokainë. Një nga grupet, një nga emrat më të mëdhenj të krimit në Shqipëri është i arrestuar dhe i burgosur në Ekuador. Kërkohet të paktën në gjysmën e vendeve të Europës.

“Ai është në burg dhe madje arratisjet e tij janë spektakolare. Dritan Rexhepi nga Vlora është një emër që është kapur me një operacion të madh të Interpolit atje. Është kapur me një grup personash, janë kapur 278 kg kokainë.

Sot ke shqiptarë që kanë vajtur dhe merren me kokaikën në burim, pra nëse ne merremi me canabisin këtu, ti ke shqiptarë që merren me kokainën në burim, nuk merren më me rrugët.

Ka shkuar atje që të maksimalizojë fitimin dhe sa më shumë grupet tona marrin eksperiencë, mësojnë, shikojnë, dëmtohen, aq më tepër ato e perfeksionojnë mënyrën e tyre. Prandaj dhe grupet tona janë bërë shqetësim sot në Europë. Ato janë bërë sot, por grupet tona e kanë zanafillën që para 20 vitesh”, ka thënë Hoxha.