Fëmijëve të Durrësit jo vetëm që u janë grabitur hapësirat e tyre, por edhe ato pak që kanë, nuk i mirëmban askush. Fëmijët janë të vegjël dhe atë çfarë u japin ua marrin, dhe sërish ata nuk kanë zë të kërkojnë. Fjala është për lulishte, për parqe të mirëfillta, të cilat iu mungojnë në Durrës.

Edhe lulishtja në hyrje të Durrësit është tharë për një pikë ujë. Fëmijët e shumtë të Durrësit të cilët derdhen çdo pasdite deri vonë në të vetmen lulishte që ka qyteti, në kujtimet e tyre nuk do mbajnë mend vetëm gjunjët e vrarë gjatë lojës, por më së shumti mungesën e barit të gjelbër.

Pavarësisht se vera ka qenë jo shumë e nxehtë, në këtë hapësirë të vogël që iu mbeti fëmijëve pas zaptimit nga lokalet me tavolina e karrige, në lulishte nuk u hodh asnjë herë një pikë ujë të gjelbëronte hapësirën.

As shërbimi komunal dhe as pronarët e lokaleve, për asnjë ditë të vetme nuk e ujitën barin apo pemët e mbjella viteve të shkuara.

Është një investim shumë minimal që jo vetëm estetikisht do të bënte të mundur mirëmbajtjen e lulishtes, por një vend i gjelbëruar rrit fëmijë më të shëndetshëm.

E në vend të gjelbërimit, vendin e kanë zënë pluhuri dhe gropat, sepse për hapësirën publike për fëmijët askush nuk ka vëmendje.

Ndryshe janë hapësirat e zëna nga lokalet. Në to, çdo ditë e më shumë merret nga një metër lulishte për t’u kthyer në ambient biznesi.

K.H.