Mediat belge kanë ngritur alarmin e mishit të skaduar që u eksportua nga vendi i tyre drejt Kosovës dhe mbërriti deri në doganën shqiptare. Sipas një informacioni të fundit, në muajin gusht të vitit të kaluar në kufirin Shqipëri-Kosovë u konfiskua 20 tonë mish me etiketat e kompanisë Vanlommel. I skaduar prej një muaji nga momenti që kishte mbërritur në doganë, mishi u sekuestrua nga autoritetet.

Shkatërruam të gjithë ngarkesën e mishit në mënyrë që të mos shkonte te konsumatorët kosovarë”, tha një zëdhënës i Agjencisë Ushqimore të Kosovës.

Nga ana tjetër, menaxheri i kompanisë “Vanlommel” thotë për mediat belge se nuk bëhet fjalë për mashtrim, por për gabim njerëzor.

Ishte një gabim nga ana jonë. Kemi marrë përsipër përgjegjësinë. Ky nuk është një rast mashtrimi. Etiketat ishin të sakta, por është e vërtetë që mishi kishte skadencë tre javore”, thotë Johan Heylen.

Dy deputetë belgë, Yoleen Van Camp dhe Renate Hufkens, kanë kërkuar që të nisë një hetim i plotë për këtë rast. Përmes një deklarate të përbashkët, deputetët thanë se “hetimet duhet të jenë proaktive, të shpejta dhe të plota. Për më tepër, ka një nevojë urgjente për komunikim sa më të shpejtë mes autoriteteve të përfshira dhe konsumatorëve”.

Ky është rasti i dytë me mishin e skaduar që eksportohet nga Belgjika. Përpara disa kohësh, kompania Veviba u përfshi në një skandal të ngjashëm duke dërguar mish të skaduar në Kosovë, raporton “tvklan”.

Lajmi në mediat belge