Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga Kryebashkiaku Vangjush Dako inspektuan punimet për rrjetin e kanalizimeve dhe të ujësjellësit në qytetin e Durrësit. Linja e re e furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit është një investim që arrin në vlerën e 31.6 milionë eurove. Ndërkaq, ka përfunduar faza e parë e investimit për ndërtimin e rrjetit sekondar të kanalizimeve në zonën e Plazhit në vlerën 7.7 milionë euro. Faza e dytë e punës për këtë rrjet është duke u kryer aktualisht dhe financimi shkon në 5 milionë euro. Në total, investimet për ujësjellës dhe kanalizimeve në Durrës shkojnë mbi 50 milion euro.

“Është një nga investimet më të mëdha që do t'i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së ujit dhe kanalizimeve të qytetit të Durrësit. Një qytet mjaft i rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike dhe turistike. Është një investim i garantuar plotësisht nga investimet e qeverisë shqiptare dhe nga komunikimi që kam patur me kryetarin e Bashkisë, puna sidomos vitin e fundit po ecën shumë mirë. Shpresojmë që të mbyllet në kohë dhe është një nga veprat transformuese për të gjithë qytetarët e Durrësit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se investimi i qytetarëve nga ky investim është shumë i madh pasi mbyllet përfundimisht derdhja e ujërave të zeza në det.

“Përfunduam fazën e parë, projektin nga Ura e Dajlanit deri te Mali i Robit dhe tashmë kemi filluar nga Currilat deri në impiantin e pastrimit të ujërave të zeza. Ky kolektor kryesor do të mbledhë të gjitha ujërat e lagjes numër 1, lagjes 2, 3 dhe 4, të cilat derdheshin disa prej tyre në det. Tashmë ne kemi zgjidhur këtë problem. Përtej këtij investimi, ne jemi duke investuar edhe për ujin e pijshëm. Është një financim i mundësuar nga Banka Botërore i cili do të trefishojë kapacitetin e furnizimit me ujë të banorëve të qytetit të Durrësit. Këto dy investime, sëbashku me rehabilitimin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit dhe furnizimit me ujë të të gjithë qytetit të Durrësit, besojmë se në qershor të vitit 2019 ne do kemi zgjidhur përfundimisht ujësjellësin e furnizimin me ujë, ujërat e zeza dhe ujërat e bardha”, nënvizoi Dako.

Ministri Gjiknuri u ndal më pas te reforma në sektorin e ujit të pijshëm duke u bërë thirrje edhe njëherë familjarëve të shfrytëzojnë afatin e zgjatur me 1 muaj për vetëdisiplinim pa penalitete.

“Të gjitha këto investime që të jenë të qëndrueshme duhet të kemi një shëndoshje financiare të sektorit. Shendoshja financiare vjen nga pagesa e rregullt e ujit ashtu sikurse ndodhi me energjinë. Qytetarët që paguajnë nuk mund të mbajnë përsipër edhe ata që nuk paguajnë. Nëse të gjithë paguajmë, kemi mundësinë të bëjmë edhe më shumë investime”, u shpreh Gjiknuri.

Kryebashkiaku Dako tha se tanimë ka nisur aksioni për prerjet e lidhjeve të paligjshme.

“Vetëm këto ditë janë shtuar radhët në sportelet tona, kanë filluar jo vetëm lidhjet e reja por edhe pagesat. Për një muaj janë bërë aq lidhje të reja sa ishin bërë për një vit. Pagesat janë shumëfishuar. U bëj thirrje të gjitha bizneseve që përdorin ujin, të bëjnë pagesat brenda afatit. Nga ana tjetër u kemi ardhur në ndihmë të gjithë familjeve në nevojë, familjeve që kanë invalid, të nënshkruajnë kontrata me ndërmarrjen tonë të ujësjellësit, për të bërë pagesa të reduktuara dhe të shtrira në kohë”, sqaroi Dako.