Moti i keq që ka përfshirë Durrësin këtë të hënë, ka shkaktuar trafik të rënduar mjetesh në zonat kryesore të qytetit si dhe përmbytje në rrugë. Prej orës 14:30 kur filloi një stuhi e fortë ere, dhe menjëherë pas saj reshje shiu, disa prej rrugëve më problematike në Durrës janë mbuluar nga uji, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve.  

Zonat me trafik të rënduar: Nga pallati i sportit, te stacioni i trenit e në vazhdim te rrugës "Egnatia", te Mauzoleumi i Dëshmorëve e në vijim të rrugës "Aleksandër Goga"; kryqëzimi i stadiumit "Niko Dovana" etj.

Te gjimnazi "Leonik Tomeo" ku po zhvillohet mësimi me turne i nxënësve te shkollës 9-vjeçare "Marie Kaçulini" është krijuar një situatë kaotike, pasi prishja e motit ka përkuar në të njëjtën kohë edhe me daljen e fëmijëve nga shkolla në këtë ditë te parë të sezonit të ri shkollor që nisi sot.

S.L.