Ditët e fundit të muajit korrik gjithmonë janë shoqëruar me temperatura të larta duke arritur edhe pikun e tyre maksimal, po ndodh krejt e kundërta, të paktën në rajonin e Durrësit, përgjatë kësaj vere. Reshje shiu, erëra të forta, por edhe ulje të ndjeshme të temperaturave.

Një gjë e tillë ka ndikuar negativisht për bizneset e zonës së Durrësit, të cilët ishin përgatitur për t’iu ofruar turistëve dhe vizitorëve një ambient të denjë në plazhet e shumta që ofron kjo vijë bregdetare.

Pronarët e bizneseve thonë jashtë kameras se shitjet kanë rënë mbi 80%. Madje edhe ata turistë që ishin u larguan si pasojë e motit të keq. Ata shpresojnë që të mos vazhdojnë më tani e tutje me këtë situatë.

Megjithatë, ka disa pushues që kanë vendosur ta shfrytëzojnë plazhin, pavarësisht motit të paqëndrueshëm. Të ardhur kryesisht nga Kosova, ata tregojnë se nuk do do t’i ndërpresin pushimet e tyre të shumëpritura edhe pse temperaturat nuk janë në favor të tyre.

Sipas një vëzhgimi të bërë me kameran e portalit Durreslajm përgjatë bregdetit të Durrësit në ditën e sotme një numër i vogël pushuesish kishin preferuar të relaksoheshin pranë detit. Moti i keq që nisi mbrëmjen e të dielës ka ndikuar në reduktimin e numrit të pushuesve në bregdetin e Durrësit ky fakt pasqyrohet qartë edhe në çadrat, të cilat, në pjesën më të madhe të tyre kanë mbetur të mbyllura.